Nga Ambrozia Meta
Gjatë fushatës së vitit 2013, Endrit Braimllari humbi rreth 23 kg, të cilat, i ka rifituar sërish, në këtë 4 – vjeçar. Mesa duket, kthimi i tyre shërben për të mbajtur mbi shpatulla përgjegjësinë e madhe si Sekretar i Përgjithshëm i LSI – së. 29 – vjeçari është ndoshta nga të vetmit politikanë që i ka ngjitur shkallët e karrierës dy e nga dy duke mbajtur një sërë funksionesh brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në korridorin e katit të tretë të selisë, të gjithë thërrasin emrin e tij: ”Endrit, ma firmos pak këtë dokument, Endrit të kërkon një zonjë e moshuar”. Ai qëndron ulur në një kolltuk të zi lëkure, i rrethuar nga një mal shkresash të bardha. Mban veshur një këmishë me kuadrata, pantallona të zeza serioze, dhe herë pas here, shfleton programin e LSI- së. Prej kohësh, i duhet të menaxhojë funksionin e sekretarit organizativ dhe detyrën e kreut të LSI – së për Tiranën. “Më fal, kohë fushate”, – thotë me çiltërsi, teksa më kërkon ndjesë për vonesën e intervistës. Më pas, e pranon, që për partinë ku angazhohet prej 12 vitesh, çdo periudhë i ngjan një viti elektoral. Që nga 2005, kur u përfshi në LSI, të rralla kanë qenë ditët e pushimit për të.
“Përpara, se të vendosja të angazhohesha në LSI-i, kisha dëshirën për t’u marrë me politikë. Isha në vitin e dytë të shkollës së mesme, president senati në gjimnazin “Besnik Sykja”, Tiranë. Në atë kohë një forum rinor ishte, ai i FRESSH –it, dhe, sapo ishte krijuar Lëvizja Rinore për Integrim. Mamaja ime ndikoi që të bëhesha pjesë e LSI – së, sepse i pëlqente marrëdhënia familjare që kishte ndërtuar çifti Meta – Kryemadhi,” – thotë duke ngacmuar kujtimet e 12 viteve më parë. E para që takoi, në LSI-i – ishte Erisa Xhixho, që në ato vite mbante detyrën e kryetares së forumit rinor. Në kujtesë i ka ngelur e pandryshuar një tavolinë ku diskutohej për organizimin e gjimnazeve dhe pritja e ngrohtë që i bënë në LRI. Pas asaj dite, nuk e mendoi gjatë për t’u kthyer atje sërish.
Fushata e vitit 2007, për zgjedhjet lokale, atëherë kur LSI mbështeste kandidatin socialist për bashkinë e Tiranës, Edi Ramën, ishte prova e parë për të. Nuk pati kohë për pushim,pasi e priste një tjetër betejë. “ Në 2007 ne kemi filluar një betejë shumë të ashpër për maturantët, të cilëve, për shkak të sistemit, u humbte e drejta për të shkuar në shkollën që meritonin. Ka pasur protesta pa fund. Ne improvizuam një ruletë, që e vendosëm para Ministrisë së Arsimit, që u pagëzua si rrota e fatit. Ky ka qenë ndër aksionet e para tona, ku investuam shumë,” – tregon Endriti. Në po atë vit, fitoi degën e filozofisë, e cila ishte një tjetër përgjegjësi e madhe për të.
Telefoni i bie pa pushim. Ndërsa ekrani i iphone-it qëndron ndezur nga mesazhet dhe telefonat, ai nuk shpërqendrohet nga biseda. “Shpesh herë në të gjithë vendimet dhe rrugëtimin tim, tre kanë qenë sfidat më të mëdha. E para, përgjegjësia që më kishin ngarkuar miqtë e forumit, sepse midis 100 drejtuesish që kishte Tirana, ata më zgjodhën mua. E dyta, ishte Fakulteti. Duhet të provoja që ja vleja dhe mund ta bëjë këtë shkollë. Pastaj familja, që kishte investuar maksimalisht tek unë dhe këtë invenstim unë duhet t’ua ktheja mbrapsht.“
Familja
Aftësisë së tij për të bindur njerëzit, nuk i shpëtoi as familja, e cila, që prej 2009 angazhohet në LSI, në njësinë ku banon. “Jam një person shumë i lidhur me familjen. Por, në këtë fazë është më e lehtë të kaloj kohë me ta. Babi është në fushatë, mami në fushatë, motra po ashtu, mandej edhe e fejuara ime. Vonë, në darkë vazhdojmë mbledhjen në shtëpi, diskutojmë sa vota bëmë sot, bëjmë planet për nesër” – thotë duke buzëqeshur.
Me të fejuarën u njoh në kurset e përbashkëta që bënin në fakultetin e Shkencave sociale. Që 8 vite janë bashkë. “Është një person i rëndësishëm, mirëkupton shumë mirë punën që unë bëj. tregon Endriti.
I janë dashur vite të fitojë qetësinë që ka sot, por politika nuk ia ka dalë t’i ndryshojë karakterin emocional. “ Në 2012, isha në fshatin Koloces të Maliqit me një nga drejtueset tona të zonës së Korçës. Kishim shkuar për të paraqitur platformën tonë. Kur pashë ato vajzat e vogla, që udhëtonin tre orë në borë për të shkuar në shkollë, nuk po flisja dot. Drejtuesja, që më shoqëronte më kërkoi të flasë: “Të votojnë për kë të duan, unë nuk di çfarë t’u them,” tregon, ndërsa në fytyrë i lexohet një keqardhje krejt e natyrshme.
Përditshmëria
Zgjimi herët në mëngjes i është bërë zakon qysh në vegjëli. I fillon ditët me pasqyrën e shtypit dhe rend drejt zyrës sa më shpejt, për të rakorduar axhendën e ditës. Deri në orën 12 të paradites, zhytet në problemet e partisë, të strukturave, duke u munduar të zgjidhë ato.” Jam gjithmonë në lëvizje. Nuk jam person që dua ti ndërtoj gjërat nga zyrat, por shkoj aty ku është problemi, ku ka aktivitete, për të takuar qytetarët, strukturat, për të dëgjuar hallet e shqetësimet e tyre. Kam parimin tim: nuk rri dot më shumë se 20 minuta në kafe, gjysmë orë është shumë. Zakonisht, rreth orës 12 të darkës, dita ime ka mbaruar,” – rrëfen.
Pak politikë
Është nga të paktët politikanë, që i ka qëndruar larg shashkave politike. Edhe në ditët më të vështira të koalicionit, ai nuk është përfshirë në replika publike. “Dua të jem një politikan që ti jap zgjidhje problemit të njerëzve dhe të jem pranë tyre me konkreten. Marr energji nga takimet me njerëzit dhe jo nga një debatet,”- përgjigjet, kur e pyes pse ka qëndruar kaq i tërhequr nga protagonizmi politik e mediatik.
Nëse për shumë njerëz, pakti mes kryeministrit e kryedemokratit, në atë mëngjes maji, ishte një deja vu e marrëveshjes së 2008 – ës, Rama – Berisha, për të aneksuar LSI – në, Endritin nuk e shqetëson aspak. “LSI është mësuar me sfidat. Ne votohemi pikërisht prej korrektesës, besimit dhe mbajtjes së fjalës. Përsa i përket marrëveshjes nuk është 2008, është 2017, dhe LSI është sot një ekip i fortë, i strukturuar,” shprehet bindës.
Nga zëvendës/kryetarja e LSI –së, Monika Kryemadhi, ka mësuar të gjithë aspektin organizativ të partisë. Petrit Vasili dhe Luan Rama kanë qenë gjithmonë këshillues të vyer për të.
“Monika është gjithmonë prezente. Ajo na ndihmon shumë, pasi ka një eksperiencë të madhe në organizimin, por edhe në politikbërje. Konsultohem shumë gjatë me kryetarin e LSI – së, Petrit Vasilin dhe me Luan Ramën. Ai është një model për mënyrën sesi u jep zgjidhje gjerave ndërsa Petrit Vasili më ka ndihmuar për të kuptuar vendimmarrjen dhe linjën politike të partisë,” – rrëfen për ata, që prej 12 vitesh i ka edhe bashkëpunëtorë edhe familje. Ish – kryetari i LSI – së Ilir Meta zë një vend të veçantë tek ai. “ Është një model frymëzimi, ai na ka hapur rrugën në politikë”, – thotë 29 -vjeçari.
Endriti është sot i katërti në listën e kandidatëve të LSI – në Tiranë. Me shumë gjasa do të jetë deputeti i ri i Kuvendit në shtator, por zotimi i tij nuk i ngjan premtimeve të fushatës. “Nuk e marr thjeshtë si një vlerësim, por është një mundësi e mirë për t’i shërbyer qytetarëve. Do bëj maksimumin, që ta justifikoj këtë përgjegjësi, në raport me qytetarët e Tiranës dhe ato, që ato presin. Do jemi të ndryshëm nga politikanët e tjerë”, – premton 29 -vjeçari.
“E di pse do jemi forcë e parë,” -më thotë, duke më marrë pyetjen nga goja. “Sepse LSI është forca e të rinjve. Ne kemi një program konkret që ul taksat dhe hap vende të reja pune, ne kemi një program që çliron biznesin dhe beteja jonë është të çmontojmë oligarkinë e koncesioneve që ka marrë peng vendit. Pushteti do jetë i qytetarëve dhe i njerëzve të thjeshtë,’’ – shprehet me besim.
“Ajo që patë ju në korridor është departamenti i organizimit. Ata janë njerëzit që i përkushtohen maksimalisht LSI – së dhe që rrinë prapa skene,” – tregon ndërsa më përcjell në korridorin e katit të tretë të selisë. Është i qetë dhe i buzëqeshur. I është dashur që këto ditë të bëjë ecejake të shpeshta drejt Kavajës, në mbështetje të kandidatit të LSI – së për kryebashkiak.
Po shkon drejt fundit, një fushatë që nuk u ngjan të mëparshmeve. Me objektivin për të dalë forcë e parë, në këto ditë të fundit që kanë ngelur por edhe në ato që do të vijnë, Endrit Braimllari me sa duket, do humbasë sërish nga pesha e tij.