Një burrë përdorte vajzën e tij të mitur për të fotografuar femrat në dhomat e zhveshjes në dyqane rrobash.
Ngjarja ka ndodhur në Britani të Madhe, ku Alex Doodson synonte të fotografonte rreth 70 gra për një periudhë 13 mujore. Ai përdorte një celular dhe një kamera të fshehur në këpucën e tij për të fotografuar femrat kur ndërroheshin. Ai dilte me vajzën e tij të mitur në dyqane me pretekstin për t’i blerë rroba dhe gjërat që i nevojiteshin.
Prokuroria ka thënë se në disa raste ai rrëshqiste këpucën e tij poshtë derës së dhomave të zhveshjes për të filmuar femrat që provonin rrobat. Doodson u zbulua nga një punonjës i një karburanti, kur e pa atë duke ndjekur një grua të cilën e filmonte me celular.
Në arkivën e tij, policia gjeti 86 imazhe të pahijshme të 68 femrave, të cilat nuk kanë qenë në dijeni se ishin fotografuar. Alex Doodson pranoi akuzat e ngritura ndaj tij. Ai u dënua me 10 muaj burg dhe i është ndaluar përdorimi i rrjeteve sociale dhe faqeve online për të njohur persona të rinj për një periudhë 10-vjeçare.