“Zgjedhjet e 25 Qershorit u blenë nga mafia e marjuanës dhe e korrupsionit”

0
176

“Këto zgjedhje, sipas deklaratës së parë të OSBE\ODIHR-it, nuk ishin aspak më të mira se zgjedhjet e kaluara. Në të vërtetë ato janë edhe shumë më të deformuara e më të këqija se zgjedhjet e shkuara”.

Kështu u shpreh Kryetari i partisë “Zgjidhja”, Kocco Kokëdhima, në Forumin e parë të Politikave. Sipas Kokëdhimës, zgjedhjet e 25 qershorit u blenë masivisht nga mafia e marijuanës dhe e korrupsionit, nga kriminelët, nga njerëzit e përfshirë në listat e deputetëve, në administratën zgjedhore e publike dhe në Policinë e Shtetit.

Kreu i partisë Zgjidhja tha se marrëveshja e 18 majit nuk u shërbeu zgjedhjeve të lira, nuk i shërbeu Shqipërisë. Ai tha se partnerët ndërkombëtarë e dinë shumë mirë të vërtetën e zgjedhjeve shqiptare dhe u bëri thirrje ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Europian, të OSBE-së dhe të vendeve të tjera mike të Europës në Shqipëri, që të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi qeverinë dhe kuvendin e ri të Shqipërisë dhe të mbështesin frontin e përbashkët të opozitës së re të vendit me objektivin që parlamenti i ri të fillojë punën që ditën e parë që do të mblidhet me reformimin e plotë e të thellë të sistemit zgjedhor.

“Zgjidhja do të luftojë vendosmërisht e pa kompromis me të keqen që ka mbërthyer këtë vend. Kush mendon ta shesë aktivizimin dhe mbështetjen politike me lekë droge dhe korrupsioni, me favore të paligjshme, me tendera dhe vende pune në shtet, me miell, keca, desh e karburant, me leje ndërtimi dhe legalizimi të paligjshme unë i them këtyre njerëzve: Mos ejani te Zgjidhja! Zgjidhja nuk ka vend për veset tuaja! Zgjidhja i refuzon kategorikisht këto lloj mëkatesh!”, tha Kokëdhima.

Sipas tij, Zgjidhja nuk do lejojë kurrë që të preket nga sëmundjet dhe viruset e politikës së vjetër, që të depërtojnë financime të paligjshme dhe burime kriminale të çdo lloji.

“Nuk do të pranojmë të financohemi as nga oligarkia e korrupsionit dhe as nga njerëz të përfshirë në aktivitete të dyshimta ashtu siç nuk do të pranojmë kurrë financime që do të përpiqen të ndikojnë qëndrimet dhe vendimmarrjen politike të Zgjidhjes edhe kur këto financime mund të vijnë nga biznese të ligjshme.

Ne do të pranojmë donacione nga anëtarësia e partisë dhe nga burime të ligjshme e transparente, në çdo rast nga 1 mijë lekë minimalisht deri në 1 milionë lekë maksimalisht në vit. Zgjidhjen do ta financojnë njerëzit e thjeshtë të Shqipërisë, anëtarësia e saj, njerëzit e punës e të djersës së ballit! Zgjidhja nuk do të pranojë financime nga oligarkët e lidhur me qeverinë dhe elitën politike të vendit”, theksoi Kokëdhima.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here