Nga Ervin Kaduku
“Pse u goditën interesat e dhjetëra mijëra familjeve shqiptare me zhvlerësimin e euros gjatë zgjedhjeve”?
Interesat e huamarrjes qeveritare regjistruan rritje në ankandin e parë pas zgjedhjeve. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, obligacionet 10-vjeçare u emetuan të premten me një kupon ose interes mesatar prej 7.2%. Kuponi është në rritje krahasuar me ankandin e mëparshëm, kur obligacionet 10-vjeçare u emetuan me 6.45%. Qeveria pati shpallur për shitje 2.5 miliardë lekë obligacione, por kërkesa e pjesëmarrësve në ankand ishte diçka më pak se 1.94 miliardë lekë. Ky raport mes kërkesës dhe ofertës shpjegon rritjen e kuponit në ankandin e të premtes. Në një mjedis me norma shumë të ulëta interesi, obligacionet qeveritare ngelen instrumenti ku investitorë mund të sigurojnë kthimet më të larta. Përgjithësisht, gjatë pjesës së parë të këtij viti pjesëmarrja në ankande ka qenë e lartë dhe tregu ka gjetur një lloj stabiliteti, ashtu si për bonot e thesarit. Sistemi bankar është mjaft likuid dhe ngelet i interesuar për investime në titujt e qeverisë, edhe duke pasur parasysh ecurinë e dobët të kreditimit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se edhe për majin kreditimi pati një ecuri të dobët, me rënie prej 1.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pasojat
Zhvlerësimi i euros ndaj lekut nuk ka goditur vetëm eksportet, por edhe nje pjesë të kursimeve të qytetarëve. Familjet shqiptare mbajnë një pjesë të konsiderueshme të pasurisë në asete financiare në valutë, ku instrumenti më i preferuar është ai i depozitave në euro. Sipas të dhënave zyrtare nga banka e shqipërisë, në fund të muajit janar, depozitat e familjeve shqiptare në euro llogariteshin në 497 miliardë lekë. Por në fund të majit shifra zbriti në 483 miliardë lekë. Rënia me 14 miliardë lekë nuk ka ardhur se individët kanë tërhequr depozitat nga bankat, por në pjesën më të madhe ajo është pasojë e zhvlerësimit të euros. Sipas Bankës së Shqipërisë, për periudhën janar qershor euro është zhvlerësuar me 2.4 për qind ndaj lekut. Më saktësisht nëse në muajin janar një euro u këmbye mesatarisht me 136.57 lekë, në qershor monedha europiane është konvertuar me 133.2 lekë. Kjo bën që vlera e depozitave në euro të ulet duke gërryer pasurinë që familjet kanë ruajtur në monedhën europiane. Por nga lëvizjet në kursin e këmbimit nuk ka vetëm të humbur. Një kategori tjetër po kaq e madhe individësh kanë përfituar nga zhvlerësimi i euros. Këtu bëhet fjalë kryesisht për ata që kanë detyrime në euro, veccanërisht kredi, pasi për të paguar këstet e tyre tani u duhet të këmbëjne më pak lekë se më parë.
Kredia dhe ekonomia
Ndonëse të dhënat e INSTAT të publikuara për rritjen ekonomike flasin për përshpejtim, me një zgjerim prej 3.9% për tremujorin e parë, kjo nuk rezulton të jetë reflektuar në treguesit e kredisë (investimeve) dhe depozitave (shtim i kurismeve si rrjedhojë e përmirësimit të mirëqenies). Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, stoku i kredisë për ekonominë zbriti në maj në 554 miliardë lekë, me një rënie prej 854 milionë lekë në krahasim me muajin e kaluar. Rënia mujore ka ardhur nga kredia për sektorët jo financiarë në valutë, që është reduktuar me 3.9 miliardë lekë, duke dhënë ndikimin e vetëm në trendin rënës të huasë. Ndërkohë kredia në lekë për këtë sektor është rritur me 1.3 miliardë lekë. Në rritje gjatë muajit maj ishte kredia për individë, si në lekë dhe në valutë, që u zgjerua me gati 1.8 miliardë lekë. Në total, në krahasim me fundin e vitit të kaluar, huaja për ekonominë ka rënë me 3.1 miliardë lekë, ose 0.6%, duke treguar për një ngërç të investimeve në ekonomi, teksa huaja për biznesin ka rënë me gati 8 miliardë lekë gjatë të njëjtës periudhë.
Edhe tendenca e depozitave nuk ka qenë pozitive. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kursimet e shqiptarëve kanë rënë me 4.4 miliardë lekë në muajin maj, në krahasim me vitin e mëparshëm, duke arritur në rreth 995 miliardë lekë. Rënia më e fortë ka qenë nga valuta (-30 milionë euro), por këtu është dhe efekti i zhvlerësimit të euros, teksa treguesi total i depozitave raportohet në lekë. Nëse shihen të dhënat e depozitave vetëm në euro, të raportuara po në monedhën e përbashkët, në maj ato rezultojnë të jenë tkurrur realisht me 17 milionë euro. Në krahasim me dhjetorin 2016, depozitat në total rezultojnë të kenë rënë me 19 miliardë lekë, apo 2%, ku tkurrja më e fortë ka ardhur nga kursimet në lekë (-11.5 miliardë lekë), ndërsa kursimet në euro kanë rënë rreth 7.7 miliardë lekë.
Rënia e normave të interesit në lekë, që jep kthime minimale për kursimtarët, e ka bërë këtë jo interesante këtë alternativë investimi. Në kahun tjetër politika e deeuroizimit që po ndiqet nga Banka e Shqipërisë po bën që bankat të “refuzojnë” depozitat në valutë. Në kahun tjetër, kompanitë, të gjendura në mungesë likuiditeti po shpenzojnë kursimet në valutë për të bërë pagesa të ndryshme, një dukuri që është konstatuar nga aktorët e kursit të këmbimit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se depozitat pa afat në euro të korporatave jo financiare kanë rënë me 32 milionë euro në pesë muajt e parë të vitit, në raport me dhjetorin 2016.