Tani që ka marrë timonin e qeverisë, Rama po ndihet i gjithëpushtetshëm. Ndonëse tendencat e një pushteti gjithë-absolut janë ende të largëta në horizont, duke mos sjellë paralalele me disa liderë gati supremë në Evropë e botë, sërish kryeministri ka prirje të forta për të tejkaluar arrogancën e këtyre viteve që sapo kaluan nga qeverisja “Rama 1”. Aq më tepër që qeverisja për katër vitet e ardhshme nuk do ketë as frena e as freksion, pasi aleatët qeverisës të katër viteve të shkuara, që synimet për gjithëpushtet të kryeministrit arritën t’i ndalnin së paku dy herë, nuk do jenë më pjesë e ezkekutivit. E gjithë qeverisja dhe administrata e vendit, do jenë në dorë të socialistëve.
Në kushtet kur Rama premtoi luftë ndaj “tepsisë”, sic e cilësoi ai ndarjen e pushtetit në administratë mes partive të një koalicioni, duket se shanset janë të mëdha që në këto katër vite që vijnë, të presim një “kusi” rilindase. Prej ditësh, pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, kryeministri Rama ka paralajmëruar fortunë në institucione, ku fillimisht ka caktuar muajin korrik si fushatë dëgjesash në të gjithë vendin, me qëllim grumbullimin e informacioneve për çdo zyrë shtetërore. Duke përdorur tinëzisht skenarin e uzurpimit të pushtetit nga “tepsia” , kryeministri është gati të nisë operacionin për “çlirimin e administratës”, ku më gjasë synimi kryesor do jetë heqja nga puna e të gjithë të anëtarësuarve nga partitë e tjera, duke hapur njëkohësisht mijëra vende për militantët e Rilindjes. Ndonëse kreu i qeverisë premton vazhdimisht se nuk do ketë abuzim me këtë cështje, është e pamundur të mendosh që një forcë politikë që ka marrë gjithë pushtetin e vetme, nuk do veprojë në favor të interesave partiake. Aq më tepër kur arroganca dhe lufta ballora e socialistëve ndaj aleatëve në katër vitete e shkuara ka qenë e vërtetuar dhe si e tillë nuk sjell premisa për një trajtim sipas standardeve evropiane të administratës shtetërore. Madje po të marrim rastin e fundit në fushatë, ku sulmi me pushime nga puna ndaj përfaqësueve të LSI-së ishte i furishëm, na duket e pamundur që në vitte e ardhmse të flasim për një administratë model. Ndërkaq një pengesë për një hap galopant rilindas në administratë është ligji për nënpunësin civil si edhe direktivat e BE, të cilat detyrojnë qeverinë që të paktën ata nënpunës që kanë statusin e nënpunësit të administratës të mos preken, pasi në të kundërt gjoba e majme do jetë në disfavor të pushtetit.
Nisi nga dje…
Burimet bëjnë me dije se në Postën Shqiptare të degës së Shkodrës, janë shpërndarë tashmë një numër i konsiderueshëm zarfesh të mbyllura, ku flitet për të paktën mbi 20 punonjës të postës, të cilët janë pushuar nga puna. Përpara pak javësh u shkarkua nga detyra drejtoresha e këtij institucioni, Estela Nika, për shkak të përfshirjes së saj në listat e kandidimit në radhët e LSI. Ky është institucioni i parë në Shkodër që bëhen lëvizjet e para pas përfundimit të zgjedhjeve. Në vazhdim priten furtuna të tjera lëvizjesh, ku sipas kryeministrit Edi Rama do të synojnë forcimin e administratës me persona të kualifikuar. Ndërsa pritet muaji shtator që administrata të njihet zyrtarisht me ndryshimet në radhët e drejtueseve, por edhe të punonjësve.
Çfarë tha Rama për ndryshimet në administratë: Në shtator çojmë tepsinë për skrap
“Një aspekt i rëndësishëm i këtij turi dëgjesash, do të jetë mbledhja e të dhënave për punën e zyrave të administratës shtetërore. Për këtë qëllim do të përdoret edhe mbledhja e informacionit online nga njerëzit e zakonshëm, lidhur me zyrat e shërbimeve për publikun dhe punonjësit e drejtuesit e tyre. Në këtë fazë ky informacion do të mblidhet përmes kësaj faqeje, apo faqeve online të udhëheqësve tanë në çdo qark. Pas këtij turi 30 ditor, të gjitha të dhënat e mbledhura për institucionet dhe zyrat e shtetit, do të analizohen imtësisht qark për qark. Mbi bazën e tyre do të përgatitet një raport ku do pasqyrohet cilësia e punës, niveli i shërbimit dhe reputacionit publik të çdo dege të administratës shtetërore e të çdo drejtuesi përkatës. Ky raport do të jetë në tryezën e Qeverisë së Re që në ditën e parë të punës, si një nga dokumentat bazë që do t’i shërbejnë operacionit të çuarjes së tepsisë për skrap”.