Që në fillim të mbledhjes së Partisë Demokratike është lexuar një kërkesë e rëndësishme nga anëtari i Kryesisë, Gent Malko.
Në bazë të kësaj, kërkohej që të ndryshohej rendi i ditës dhe votimi për ndryshimin e saj të bëhej i fshehtë.
Më poshtë ju paraqesim kërkesën e plotë të lexuar nga Gent Malko në fillim të mbledhjes së Kryesisë së PD.
KËRKESË drejtuar KRYESISË SË PARTISË DEMOKRATIKE
Ne, anëtarë të Kryesisë së PDSH, në kushtet e krijuara pas humbjes së thellë të Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit 2017, në bazë të nenit 40 të Statutit të PDSH, i drejtohemi Kryesisë, duke parashtruar kërkesat si më poshtë vijon:
- Mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD nga Sekretari i Përgjithshëm në bazë të nenit 43 të Statutit, për bërë analizën e rezultatit të zgjedhjeve.
- Anullimin e procedurës së nisur pa miratimin e Kryesisë së PD-së, në kundërshtim me nenin 40, pika 2 e Statutit
- Ngritjen e një grupi gjithëpërfshirës pune për hartimin e Rregullores për zgjedhjet dhe të kalendarit të procesit zgjedhor;
- Miratimin e Rregullores dhe Kalendarit sipas Statutit;
- Me hyrjen në fuqi të këtyre akteve, Kryesia të shpallë zgjedhjet në një datë të përshtatshme dhe të pranueshme për të gjithë (propozimi ynë është java e tretë e muajit nëntor, si afati që garanton më mirë zhvillimin e procesit me të gjithë komponentët e tij)
- Pas zgjedhjes së Kryetarit të ri të fillojë menjëherë procesi për organizimin e Kuvendit të jashtëzakonshëm të Partisë, ku të paraqitet platforma politike për rimëkëmbjen e PD-së dhe për ringjalljen e opozitarizmit në Shqipëri.
Anëtarë të Kryesisë
- Arben Skënderi
- Avenir Peka
- Endira Bushati
- Genti Malko
- Jamarbër Malltezi
- Valbona Mezini
- Suzana Guxholli
- Tomorr Alizoti