Ish-ministri i PD-së, publicisti dhe shkrimtari Besnik Mustafaj, ka komentuar situatën në këtë parti, një ditë pasi Kryesia ka zgjedhur dy kandidaturat për garën e 22 korrikut. Në rubrikën “Opinion” në “News 24”, Mustafaj tha se Basha do të jetë “de jure” kryetar i PD pas këtyre zgjedhjeve, por nuk do të ketë legjitimitet.
Sakaq, ai ka kthyer vëmendjen nga qëndrimi që do të mbajë Berisha më 22 korrik, kur do të duhet të votojë për njërin nga dy kandidatët në garë kreun e PD-së. Ai theksoi se Berisha nuk abstenon kurrë.
“Përgjegjës për këtë situatë të krijuar në PD është vetë Lulzim Basha. Ka refuzuar t’i japë Patozit edhe listën e anëtarësisë së PD. Pse duhet ta bëjë këtë gjë.
Unë për vete nuk e gjej veten në këtë proces. Po jam kurioz ku e gjen veten Berisha. Pasi ai duhet të votojë Bashën apo Selamin. Berisha nuk abstenon kurrë. Dhe këtë gjë e dinë të gjithë. Por besoj se kjo fushatë do ta nxjerrë Bashën “de jure” kryetar të PD, por pa legjitimitet. Nuk e kuptoj çfarë vizioni ka Basha në lidershipin e vet. Por doja të thoja se Basha e kontrollon grupin parlamentar”, tha Besnik Mustafaj.
Ai tha se vendimi i Selamit, “tregon se nuk e njeh PD-në”.
“Selami nuk mund të barazojë e jo më të fitojë”, shtoi ai.
Sakaq, ai tha se parashikon një pjesëmarrje të ulët në votime brenda partisë, për zgjedhjen e kreut të PD-së.
Duke komentuar thirrjen e një dite më parë të kryeministrit Rama drejtuar deputetëve të zgjedhur, për të pyetur popullatën mbi pakënaqësitë në qeverisje, Mustafaj tha se kjo gjë e “demaskon” fitoren e Ramës. Sipas tij, kryeministri duhet të ishte njohur me shqetësimet e shqiptarëve gjatë fushatës elektorale.