Është vetëm 10 muajshe, por pas pak ditësh duhet t’i nënshtrohet dy ndërhyrjeve të vështira kirurgjikale, një në sy e tjetrën në këmbë për shkak se është diagnostikuar me një sëmundje që hyn në kategorinë e tumoreve.
Vogëlushja Kejsi është vajza e tretë, më e vogla e familjes Grebeshi, që përbëhet nga 7 anëtarë, të cilët jetojnë në Xhafzotaj të Durrësit.
Dy prindërit e Vogëlushes, Kasemi dhe Armela me origjinë nga Berati, me lot në sy apelojnë për ndihmë, pasi operacionet kushtojnë disa milionë lekë dhe janë të papërballueshme për këtë familje, e cila mbahet me rrogën e vetme të kryefamiljarit, që punon në një fabrikë duralumini. Kasemi rrëfen se vajzës duhet t’i heqin njërin sy, për t’i vendosur protezë.
Nëna e vogëlushes rrëfen se kanë qenë më herët në Itali ku kanë bërë të gjitha vizitat, duke shpenzuar të gjitha të ardhurat e tyre, ndërsa janë ndihmuar edhe përmes borxheve nga të afërmit.
Familja Grebeshi i ka kërkuar ndihmë të gjitha institucioneve, mes tyre ministrisë së shëndetësisë, pa mundur të marrin asnjë përgjigje.
Jeta ka nisur e vështirë për vogëlushen Kejsi, e ardhmja e së cilës varet tashmë nga bujaria dhe dhembshuria e njerëzve me zemër…