Nga Gëzim Saliu
Kush nuk e ka ditur, tani është koha ta mësojë përfundimisht: përgjatë një rrugëtimi është rreptësisht e ndaluar që pasagjerët të komunikojnë me drejtuesin e mjetit, pasi një shpërqëndrim sado i vogël mund të kthehet në rrezik për jetën e tyre. Parrulla e famshme “mos i fol shoferit” e vendosur në formë paralajmërimi në urbane apo linja interurbane, përbën një ndër rregullat bazë për një udhëtim të sigurt.
Pikërisht këtë rregull pritet të ndjekë më përpikmëri edhe kryeministri Rama, i cili pasi arriti të marrë timonin e aq kërkuar me ngulm në 1 muaj fushate, do të kërkojë të drejtojë automjetin
( Shqipërinë) pa u shpërqëndruar nga të pasagjerët( qofshin këta parti opozitare, qytetarë apo ndërkombëtarë). Ndonëse në artikulimin e këtyre ditëve, madje edhe sot në takimin e tij me deputetët socialist të dalë nga25 qershori, kryeministri Rama flet me bindje për një marrëdhënie të re mes politikës e qytetarit apo edhe mes vetë partive, kjo në fakt duket se është një “kopje” e pastër e fillim shtatorit të 2013-ës. Edhe në atë fitore, Rama foli për një përgjegjësi të madhe që koalicioni i majtë kishte marrë nga “1 milion shpullat për të djathtën”, duke vënë në dukje se qytetari dhe ndërtimi i shtetit do ishin në vend të parë.
Por çfarë ndodhi më pas, tanimë është një histori e njohur. Përmbledhtazi theksojmë: Në këto 4 vite asnjëherë qytetari nuk është vënë në qendër të politikave të qeverisë “Rama”. Koncencionet e panumërta, taskat e larta, rritja e borxhit publik, rritja e cmimit të energjisë elektrike, goditja e biznesit, ngrirja e rrogave e pensioneve për tre vite dhe rritja e tyre vetëm përpara zgjedhjeve të 2017-ës, mos mbajtja e premtimeve për shëndetësinë falas dhe për punësimin e 300 mijë qytetarëve shqiptarë, dështimi me arsimin dhe favorizimi i klientelës, kriminalizimi i jetës politike dhe administratës si edhë së fundmi fenomeni i kanabisit, që e ktheu Shqipërinë në vendin kryesor të furnizimit të Evropës me drogë janë disa nga pikat kryesore të keqqeverisjes së këtyre viteve.
Nga sa më sipër, duket se janë të pakta shanset që tanimë që shoferi ka marrë timonin i vetëm, sensi i dëgjueshmërisë ndaj kërkesave të qytetarëve apo kritikave të drejta të opozitës të jetë më i madh. Kur arroganca qeveritare dukej e pandalshme në këto katër vite, në të cilat jo në pak raste ka qenë deciviz frenimi i aleatëve ndaj synimeve për gjithëpushtet, në katër vitet e ardhshme janë më të shumta shanset që “ATA” lart të dëgjojnë shumë herë më pak se cfarë shqetësimesh kanë “ATA” poshtë. E në fakt në këtë pikë, Rama do përdorë mjeshtërisht rregullin “mos i fol shoferit”, duke ju rikthyer batutës hit të fushatës për “timonin e qeverisjes”. “ Ju me votën tuaj më dhatë timonin i vetëm. Tani më lini të qetë të drejtoj automjetin pa shqetësime.”- mund të jetë një përgjigje e përligjshme e kryeministrit. Ky skenar duket më i pritshmi për katër vitet e ardhshme.
Megjithatë ja vlen ti kujtojmë kryeministrit një dallim të fortë me batutën e timonierit: Nëse është tërësisht brenda rregullave që pasagjerët të mos i flasin shoferit përgjatë udhëtimit, nga ana tjetër është plotësisht antidemokratike që një qeveri e zgjedhur nga populli, edhe pse ka timonier të një ngjyre partiake, të mos dëgjojë zërin e qytetarëve, kritikën e arsyeshme të opozitës dhe zërin e partnerëve. Parashikimin tonë e dhamë dhe mos na thoni që nuk ju thamë. Mbetet të presim e më pas të shohim: A do ta ndalë kush timonierin qeverisës nëse praktikon devizën “Mos i fol shoferit”?!/STANDARD.AL