Votat kundër, pro dhe abstenim ndaj kërkesës së grupit anti-Basha për të futur analizën e zgjedhjeve në mbledhjen e djeshme të kryesisë kanë hapur një tjetër debat të nxehtë brenda Partisë Demokratike.
Ndërsa zëdhënësja Ina Zhupa e quajti ‘fake news’ (lajm të rremë) informacionin se 11 anëtarë të kryesisë votuan kundër dhe 20 abstenuan, demokratë të tjerë, përkrahës të grupit anti-Basha i kanë kërkuar procesverbalin e mbledhjes.
Sipas Zhupës, në këtë votim rezultati ishte: 24 kundër propozimit; 11 pro propozimit dhe 10 abstenime.
Por Fabian Topollaj, Endira Bushati dhe Kreshnik Çollaku mbështesin versionin e 20 abstenimeve dhe i kërkojnë të nxjerrë procesverbalin për ta vërtetuar. Madje Bushati thotë se ka edhe regjistrimin audio ku dëgjohet sa kanë abstenuar.
Dy anëtarë kryesie të PD, Jamarbër Malltezi dhe Kreshnik Çollaku deklaruan sot se propozimi për një analizë të rezultatit të PD nuk u miratua dhe mori 11 vota pro, 14 kundra dhe mbi 20 abstenime.