Ergys Kaçe dy ditë më parë ka festuar ditëlindjen i gjendur në grumbullim me PAOK për fazën përgatitore. Mirëpo, mediat greke pranë skuadrës së shqiptarit kanë bërë me dije se për të ka pasur edhe një tjetër arsye për të festuar. Në përfundim të çdo seance stërvitore disa lojtarë të përzgjedhur nga trajneri ushtrohen me goditjet standarde.
Në një hark kohor prej gati 15 minutash, shqiptari dhe tre lojtarë të tjerë janë vënë përpara portierit për të tentuar të shënojnë. Kaçe ka qenë i vetmi që ia ka dalë të realizojë një eurogol, duke fituar një “bast personal” me portierin që është edhe shoku i tij i dhomës në grumbullim. Talenti i mesfushorit të Kombëtares ka dalë në pah gjatë kësaj faze përgatitore dhe i ka bindur të gjithë te PAOK.