Dy vatra të reja zjarri janë evidentuar ditën e sotme në qarkun e Dibrës dhe atë të Vlorës. Në raportimin e Emergjencave Civile për situatën me zjarret dhe masat e marra deri në orën 14:00, theksohet se situata po monitorohet nga afër nga specialistët në qarqe.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile sqaron forcat zjarrfikëse së bashku me ato të pyjores dhe pushtetin vendor kanë ndërhyrë për të vendosur nën kontroll flakët në vatrat e krijuara gjatë orëve të fundit në Dibër e Vlorë.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.
QARKU DIBËR
Vatra e zjarrit në fshatin Patin, Klos është riaktivizuar gjatë mesditës. Edhe pse terreni është shumë i vështirë forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë me mjete për të shuar flakët.
Nga flakët rrezikohen dy banesa të braktisura që ndodhen në zonë. Në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar edhe 40 forca ushtarake ndërkohë është nisur edhe një helikopter për ndërhyrje nga ajri.
QARKU VLORË
Në fshatin Mavrovë, Selenicë një zjarr ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse që po punojnë për shuarjen e flakëve.