Statistikat e autoriteteve shëndetësore tregojnë se rreth 40% e shqiptarëve vuajnë nga hipertensioni, presioni i lartë i gjakut.
Mjekët e konsiderojnë si një vrasës të heshtur për shkak se nuk ka simptoma të dukshme por shkakton dëmtime të organeve vitale si zemra dhe veshkat. Në poliklinikën nr.3 të specialiteteve, mjekja kardiologe Manjola Liko thotë në një ditë, paraqiten 20-30 pacientë me probleme me tensionin.
“Mosha më e prekur janë ata mbi 50-vjeç, por ne vëmë re edhe një rritje në moshat e reja në kohën e sotme, të cilët shpeshherë vijnë në zyrën tonë dhe nuk e kanë matur kurrë tensionin. Sidomos tani që janë temperaturat e larta, një moment që mund të kenë pasur në rrugë si gjendje të fikti dhe rastësisht kanë matur tensionin në një farmaci. Aty iu ka dalë një presion shumë i lartë dhe i kanë nisur tek kardiologu”, shprehet Manjola Liko.
Hipertensioni nuk duhet të neglizhohet, pasi është një ndër shkaktarët kryesor të sëmundjeve kardiovaskulare, konsideruar nga bluzat e bardha si grup sëmundjesh me mortalitetin më të lartë në vend. “Të gjithë njerëzit të cilët ndjejnë një marrje mendësh apo një dhimbje koke gjëja e parë që duhet të bëjnë është të masin tensionin e gjakut, jo thjesht të drejtohen në farmaci për të marrë ilaç për dhimbje koke të cilat shpeshherë janë shkaktarë të ngritjes së tensionit”, thote Liko.
Shkaqet e hipertensionit dhe në tërësi më sëmundjet kardiake lidhen me situata stresuese, përjetim të emocioneve të forta dhe te shpeshta, jeta sedentare, mungesa e aktiviteteve fizike. Ndërsa aktualisht me rritjen e temperaturave pacientët që vuajnë nga tensioni dhe sëmundjet e zemrës duhet të tregojnë një kujdes të shtuar ndaj shëndetit të tyre. Ora News.