Përmes një deklarate, zv. kryeministrja Ledina Mandija e propozuar nga PD si pjesë e marrëveshjes së 18 majit Rama-Basha ka dhënë detaje për raportin e Task-forcës për zgjedhjet.
Sipas zv. kryeministres është duke u bërë vlerësimi dhe përpunimi i të dhënave për të vënë sa më shpejt në dispozicion të publikut, subjektevepolitike të interesuar raportin përfundimtar në lidhje me rezultatet e këtij monitorimit. Ajo thotë se afati për publikimin e raportit ishte data 10 korrik, por ka ende ministri që përcjellin materiale informuese.
Deklarata:
Në përmbyllje të monitorimin të kryer nga e ana e Task – Forcës bazuar në VKM 473/2017, duke u bazuar në informacionet dhe raportimet e bëra nga të gjitha ministritë dhe institucionet që kanë ngritur grupet e monitorimit gjatë fushatës elektorale, është duke u bërë vlerësimi dhe përpunimi i të dhënave për të vënë sa më shpejt në dispozicion të publikut, subjekteve politike të interesuar, autoriteteve vendase dhe organizmave ndërkombëtar, raportin përfundimtar në lidhje me rezultatet e këtij monitorimi.
Sqarojmë opinionin publik se afati përfundimtar për dorëzimin e raporteve përfundimtare ishte data 10 korrik 2017, ndërkohë që ende sot disa nga Ministritë përcjellin materiale informuese.
Zyra e zëvendëskryeministres, Ledina Mandija, në cilësinë e kryesueses së Task- Forcës për zgjedhjet 2017, siguron opinionin e publik se do të zbatojë deri në fund detyrimin që rrjedh nga VKM 473/2017 dhe garanton hartimin e një raporti përfundimtar, serioz dhe cilësor, që do t’I shërbejë në të ardhmen forcave politike, për të realizuar një nga misionet më jetike të demokracisë së vendit, garantimin e zhvillimit të një procesi zgjedhor të qetë, të lirë dhe të ndershëm.