Gati një muaj më parë një grua franceze u arrestua në doganën e Qafë-Thanës pasi mbante në çantën e dorës 117 fara kanabisi, por sot është lënë e lirë.
Burime të BalkanWeb pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda bëjnë me dije se Marion Alain Anastasia Coudair, banuese në qytetin Ekuli të Francës e akuzuar për “trafikim të narkotikëve mbetur në tentativë” është lënë e lirë kundrejt një garancie pasurorore prej 5 mijë euro.
Marion Anastasia Coudair, 21 vjeç, u arrestua në pikëkalimin kufitar të Qafë-Thanës më 14 qershor. Ajo mbante në çantën e saj personale të shpinës një sasi prej 117 farash të dyshuara si fara të bimës narkotike kanabis sativa.
Gjykata vendosi për të më 18 qershor masën arrest me burg për 30 ditë, ndërsa vetë francezja pohoi që farat i ka blerë gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri me mendimin se ishin për konsum si fara të thata dhe se nuk ishte në dijeni të faktit se ishin fara të një bime narkotike.
Prokurorja ka pretenduar se Coudair dyshohet të ketë konsumuar elementë të veprës penale të “trafikimit të narkotikëve”, mbetur në tentativë.
Sipas Prokurorisë, e dyshuara Coudair është ndaluar, teksa po dilte nga Shqipëria në bordin e një mjeti “Mercedes Benz” të drejtuar nga shtetasi shqiptar M.Sh.
Në të njëjtin mjet ishte edhe një shtetas ukrainas, me të cilin ishte takuar rastësisht në të njëjtën ditë. Drejtuesit i mjetit M.Sh. ka pohuar se ata i kishin bërë autostop pak kilometra larg doganës.
Ai i ka marrë ata në automjet, por nuk ka mundur të komunikojë me ta, pasi ai nuk di asnjë gjuhë të huaj. Pasi u njoh me pretendimet e palëve, gjykata caktoi masën “arrest në burg” me afat 30-ditor për francezen.