Janë 40 projekte që janë shpallur fituese në thirrjen e dytë të Programit Interreg IPA II Greqi Shqipëri 2014-2020 dhe lista e publikuar shënon dështimin e dytë të Shqipërisë në pak ditë pas Samitit të Triestes.
Referuar kësaj liste janë vetëm 3 nga 40 projektet që janë fituar nga organizata apo institucione shqiptare dhe që gjatë zbatimit do të japin impakt në vendin tonë. Greqia nga ana tjetër ka arritur në marrë 37 projekte që në vlerë kalojnë dukshëm pjesën që përfiton Shqipëria.
Por kush janë fituesit shqiptarë. E para është Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës me një vlerë projekti prej 596 mijë eurosh. I dyti renditet Agjencia për Zhvillim ekonomik dhe lokal AULEDA me një vlerë projekti prej 678 mijë eurosh dhe së treti Instituti për Kërkime Urbane me një vlerë rreth 700 mijë euro. Pra Shqipëria ka përfituar më pak se 2 milionë euro.
Greqia ka përfituar një listë të gjatë projektesh me organizata dhe institucione si: Agjencia e Baseneve të Ujit në Janinë, Agjencia e Menaxhimit të Parkut në Zakinthos, Bashkia e Prespës, Bashkia e Ziros, Qendra Kërkimore e Universitetit të Janinës, Dhoma e Zhvillimit Tregtar në Artë. Lista është e gjatë dhe projektet kanë një shtrirje të jashtëzakonshme që nis nga uji deri tek polifonia.
Më shumë sesa numri i projekteve për t’u pasur zili është vlera që do t’i shkojë komuniteteve përmes tyre. Në total vlera është rreth 25 milionë euro duke lënë shumë pas pjesën që ka përfituar Shqipëria nga e njëjta garë.
Interreg Greqi-Shqipëri këtë herë të paktën për pjesën e Shqipërisë ishte i fokusuar në qarkun e Gjirokastrës, Beratit Vlorës dhe Korçës.
Objektivi i projektit është gjetja e ekuilibrit midis zhvillimit të qëndrueshëm rajonal dhe zgjerimi i bashkëpunimit ndërkufitar midis popullsisë rajonale dhe institucioneve vendore, e gjitha kjo në përputhje me politikat kombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian, në mënyrë që sfidat e përbashkëta të adresohen ashtu siç duhen.
Prioritete të programit cilësohen promovimi i turizmit, transportit dhe infrastrukturës, si dhe nxitja e ekonomisë lokale.