Kreu i grupit parlament të LSI-së Petrit Vasili ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili nga Berati e ka quajtur partinë e tyre, “opozitë që vetëm ulëret dhe mallkon”.
Në një shënim të shkurtër në faqen e tij në Facebook, Vasili i ka kujtuar Ramës dështimin total në samitin e Triestes.
“Kush merr notën zero, duhet të iki”, thotë mes të tjerave në këtë status, kreu i ardhshëm i grupit parlamentar të LSI-së në parlamentin e ri, duke e etiketuar disa herë kryeministrin, “kryeparazit”.
Statusi i plotë i Petrit Vasilit:
Rama, ky kryeministër kryeparazit.
Kryeministri e mori notën në Trieste dhe u vlerësua me notën zero, pasi nuk mori dot asnjë projekt.
Për shkak të Kryeministrit kryeparazit Shqipëria dhe shqiptarët nuk përfituan asgjë në Trieste.
Ky Kryeministri bën tallava me dëgjesa nëpër sokaket pa ujë, pa drita të Shqipërisë për të larguar vëmendjen nga nota zero që mori në Trieste.
Ky vetë flet e vetë dëgjon, ky vetë bën humor të shpëlarë dhe vetë qesh, por notën nuk e ndryshon dot, notën e ka zero, rrumbullak si timoni që ka marrë.
Kush merr zero duhet të iki, duhet të spastrohet thotë ky kryeparaziti kryeministër për të tjerët, por le ta fillojë nga vetja meqë ky zeron e ka të vulosur dhe të certifikuar se ia vuri gjithë Europa në Trieste, po presim…