“Festivali “Jazz in Albania” përveç pjesës muzikore, është edhe prezantimi më gjerë i kulinarisë, pra prezantimi i një pjese jetese të vendeve pjesëmarrëse dhe kulturave të ndryshme nëpërmjet grupeve muzikore që do vijnë të performojnë”
Festivali Ndërkombëtar i Jazz-it “Jazz in Albania 2017” rikthehet në edicionin e tij të gjashtë sot në orën 21.00 në ambientet e Hotel Rogner. Ky festival shënon kështu vazhdimësinë e një tradite muzikore që kryeqyteti dhe shumë nga qytetet turistike e mirëpresin gjatë sezonit të verës. Më një shtrirje gjeografike të larmishme, edhe këtë vit, pjesëmarrësit dhe grupet muzikore do të vijnë nga Italia, Zvicra, Hungaria, Serbia, Hollanda, Izraeli, Egjipti, Polonia, Greqia, Austria, Turqia e më gjerë. Nuk do të mungojë dhe pjesëmarrja e artistëve të njohur shqiptarë të kësaj rryme si Gent Rushi, Ermal Rodi, etj. Festivali do të mbahet në një skenë moderne dhe do të vijojë me udhëtime nëpër Shqipëri deri në datën 26 korrik. Festivali i Jazz-it do të udhëtojë edhe në qytetet Fier në teatrin e Apolonisë, në Shkodër, në Vlorë, në Korçë, duke ndërthurur mjeshtërisht dhe natyrshëm turizmin kulturor me resurset dhe traditën e qyteteve turistike. Ky festival, ashtu si vete Jazz-i do të rizgjojë vokacionin muzikor dhe do të gjallërojë jetën e qytetit. Drejtori artistik i këtij festivali, Gent Rushi vjen në këtë intervistë për gazetën “Standard” për të folur rreth edicionit të gjashtë të festivalit ndërkombëtar të Jazz-it, risitë që do të ketë në këtë edicion, si dhe për vetë muzikën Jazz.
Intervistoi: Irini Meçe
Nis festivali “Jazz in Albania 2017”, i cili këtë vit vjen në edicionin e tij të gjashtë, duke shënuar kështu vazhdimësinë e një tradite muzikore. Si do të vijë këtë herë ky festival për publikun shqiptar dhe çfarë risi do të ketë në këtë edicion?
Ka një formulë që deri diku është standarde dhe brenda formulës ka shumë kopsira që të vijë gjithmonë ndryshe. Festivali “Jazz in Albania” përveç pjesës muzikore, është edhe prezantimi më gjerë i kulinarisë, pra prezantimi i një pjese jetese të vendeve pjesëmarrëse dhe kulturave të ndryshme. Do të vijnë koncertet me artistë, të cilët nuk janë të njëjtët që kanë qenë vite më përpara. Kjo është edhe risia e festivalit, pasi janë fytyra të reja, muzikë e re. Një ajër i ri, tinguj të rinj. Kjo e bën edhe më interesante. Flasim për përfaqësime të një vendi. Nëse unë i kam dëgjuar muzikantët nga Austria në vitin 2013 kam interes për ta dëgjuar në vitin 2014, i cili vjen ndryshe, jo si një vit më parë. Unë jam njeriu më me fat sepse do të jem në të treja pozicionet, si organizues i festivalit, si performues, por edhe si publik. (buzëqesh). Risi tjetër për këtë edicon të festivalit janë vendet, pasi nuk bëhet gjithmonë në të njëjtin vend. Duke qenë se nuk bëhet në të njëjtin vend do të thotë që do ketë risi, pasi në vende të ndryshme konteksti organizativ është i ndryshëm, stage-i është ndryshe, muzika “flet” ndryshe. Por ajo që është e përbashkëta është se jemi në verë dhe do organizohet jashtë.
Edhe këtë vit, do të ketë pjesëmarrësdhe grupet muzikore nga vende të ndryshme si Itali, Greqi, Serbi, Zvicër, Egjipt etj. Na flisni rreth këtyre grupeve që do të vijnë të performojnë?
Për çdo grup duhet të flasësh jo pak, pasi vijnë si individualitete të spikatura. Kur flasim për dikë që vjen nga Turqia, ato vijnë si përfaqesues të një kulture dhe tradite muzikore të konsoliduar tashmë, e cila njihet në botë. Të njëjtën gjë mund të themi për muzikantë që vijnë nga Austria, Egjipti, muzikantë që vijnë nga Zvicra, Serbia etj. Këto grupe muzikore në këtë festival vijnë si vazhdues të një tradite të vendit të tyre. Një grup i veçantë, i njohur edhe në Europë është grupi i Jazz i ardhur nga Turqia “It had better be tonight”.
Duke rikthyer vëmendjen tek edicioni i parë i këtij festivali dhe deri më tani që shënohet edicioni i gjashtë. Si e shihni procesin e festivalit dhe çfarë krahësimesh mund të bëni?
S’mund të flas për edicionin e parë sepse unë në atë kohë nuk kam qenë këtu, por mund të flas për edicionet e fundit që unë i kam ndjekur dhe kam punuar me to. Nga edicioni në edicion rritet niveli i grupeve muzikore pjesëmarrëse, pra rritet niveli i përfaqësimit. Kam parasysh një përfaqësim të mirë jo vetëm se ti ke emër. Nuk shihet më si tendencë dhe nuk është më kusht që nëse ke emër, ke përfaqësim të mirë. Këtu flas përgjithësisht dhe vlen dhe për muzikën shqiptare. Emri nuk është më kusht.
Çfarë mund të themi për muzikën Jazz në Shqipëri? Sa kultivohet ajo në vendin tonë?
Tendencat janë shumë të mira. Për mua përpjekjet ka. Kryesorja është që ne kemi bashkëpunime të muzikantët që merren me rrymën jazz dhe që e zhvillojnë aktivitetin e tyre jashtë Shqipërisë. Dhe kjo është shumë e rëndësishme sepse ata janë një lloj mbështetje shumë e mirë për të gjithë ata muzikantë që e kultivojnë këtë zhaner këtu.
Si dhe sa përfaqësohet Jazz-i shqiptar në botë?
Duke patur parasysh që jemi një vend i vogël, ne përfaqësohemi mirë, jo keq. Kemi përfaqësues shumë të mirë, sidomos në Europë dhe Amerikë. Kam parasysh në Europë një artiste shumë të mirë, Elina Duni, e cila regjistron në shtëpinë diskografike më të mirë të muzikës jazz. Eda Zari gjithashtu është një përfaqësuese shumë e mirë, për të cilën mund të them se e ka tejkaluar stadin e të qënit muzikante e Europës pasi ajo është më shumë, duke qenë se ka bashkëpunuar me artistë nga e gjithë bota.
Cili është brezi që më së shumti mbështet dhe dëgjon muzikën Jazz?
Nuk është fare çështje brezash besoj unë, por çështje personi. Ka patur raste që e dëgjojnë edhe fëmijë, por ka edhe nga mosha e tretë. Ndoshta ky është një nga problemet për mirë, apo për keq që ne duhet ta zgjidhim. Pra, strukturimi i publikut.
Sipas jush çfarë mund të bëhet më shumë për këtë zhaner të muzikës në Shqipëri?
Duhet të ketë politika të mirëfillta kulturore, jo vetëm për këtë zhaner, por përgjithësisht në muzikë. Le të pretendojmë pak për këtë fushë. Unë nuk di akoma të ketë ardhur ndonjë artist i niveleve të larta botërore, pra artistë botërorë që kanë bërë histori, sepse artistë të mirë kanë ardhur, por e kam fjalën për muzikantë jazz që kanë bërë histori në botë. Duhet të zbardhim atë pikën e zezë që jemi në hartën kulturore të botës. Shqipëria nuk është akoma pjesë e axhendave të tureve të artistëve të mëdhenj. Si ka mundësi që ata në Shkup mund të vijnë dhe këtu tek ne jo? Kështu që njerëzit që bëjnë politikat kulturore duhet të punojnë me ekspertë, të paktën për fushën ku unë punoj dhe njoh. Nuk mund të flas për fushat e tjera sepse nuk i njoh dhe mbase i kanë sjellë dhe kanë punuar, por për Jazz-in jo.