Sasitë e mëdha të drogës, veçanërisht ato të kanabisit shqiptarë që po përmbysin Greqinë, kanë alarmuar institucionet më të larta të këtij vendi. Gjatë vitit të fundit numri i përdoruesve të hashashit veçanërisht mes të rinjve të shkollave është rritur në mënyrë drastike në shtetin Helen.
Kjo ka bërë që shteti grek ti kërkojë kërkuar zyrtarisht bashkëpunim shtetit shqiptar, në luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike të cilat vërshojnë drejt vendit të tyre.
Këtë kërkesë e ka bërë ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Nikos Toskas, në takimin me ambasadoren e Shqipërisë në Athinë, Adriana Hobdari, raportojnë mediat greke.
Ai tha se është më se i nevojshëm një bashkëpunim i ngushtë i organeve greke me ato shqiptare, për të frenuar trafikimin e drogës nga Shqipëria në Greqi.
Ministri Toskas ka kërkuar që të intensifikohen kontrollet e autoriteteve shqiptare, në pikat doganore dhe jo vetëm, për të përballuar në mënyrë sa më efektive këtë problem teje serioz.