Nga Martha Gellhorn
“Collier’s”, 23 qershor 1945
Asgjë nuk ishte më e ligë, se sa këta të vdekur prej urisë, të zemëruar, lakuriqë, të paemër. Prapa një “pirgu” të vdekurish, ndodheshin të shtrirë përtokë trupat e shëndetshëm me uniformë të rojeve gjermane
Ne dolëm nga Gjermania në një avion C-47, që transportonte të burgosur të luftës amerikanë. Avionët ishin reshtuar në fushat me bar të Regensburgut, dhe pasagjerët prisnin të ulur në hije, nën krahët e avionit. Nuk i ndaheshin atij, ky ishte një udhëtim që asnjëri nuk do të donte ta humbiste. Kur shefi i ekuipazhit thirri “hipni të gjithë në bord!”, nxituam brenda, sikur të ishim duke i ikur një zjarri të madh.
Askush nuk hodhi sytë jashtë dritares, teksa fluturonim mbi Gjermani. Asnjëri nuk donte ta shihte sërish Gjermaninë. Ata ikën prej saj me urrejtje; çdo gjë në lidhje me të ishte e ligë. Në fillim nuk flisnin, por kur u vetëdijësuan se Gjermaninë e kishin lënë pas një herë e mirë, ata nisën të flasin për burgjet e tyre. Ne nuk komentuam për gjermanët; ato ishin fjalë të të shkuarës.
“Askush nuk do të na besojë”, tha një ushtar.
Të gjithë ranë dakord: Askush nuk do i besonte.
“Ku ju kapën ju, zonjushë?” pyeti një ushtar.
“Unë thjeshtë po udhëtoj; kisha ardhur për të parë Dachaun”.
Njëri prej burrave tha papritur. “E sheh, duhet që të flasim për të? Duhet që të flasim, na besojnë apo jo…”.
Prapa telave me gjemba dhe gardhit elektrik, skeletet ishin shtrirë nën diell. Ata nuk kanë moshë dhe fytyra; të gjithë ngjajnë njësoj dhe nuk janë si asgjë tjetër që do të shohësh, nëse je me fat. Ne i ramë kryq e tërthor ndërtesës së gjerë, të mbipopulluar dhe gjithë pluhur mes barrakave të burgut dhe shkuam në spital.
Në korridor kishte edhe më shumë skelete, dhe prej tyre vinte era e sëmundjes dhe vdekjes. Ata na shihnin, por nuk lëviznin: Asnjë shprehje nuk mund të shfaqet në një fytyrë, lëkura e verdhë e të cilës është e ngjitur pas kockës.
Perlat e gazetarisë investiguese (I)_ Dachau, vrasje eksperimentale