Një sasi e konsiderueshme droge, armë dhe disa shuma të ndryshme parash janë sekuestruar gjatë një operacionit të zhvilluar në Patos.
Burime nga policia thanë se janë tre personat arrestuar. Gjatë aksionit janë sekuestruar 75.5 kg kanabis sativa, 1 armë zjarri pistoletë, 2 automjete, 5 aparate telefoni, 1000 euro dhe 100 franga franceze.
Arrestohen në flagrancë 3 prej autorëve të dyshuar, shpallet në kërkim 1 tjetër.
Në pranga në flagrancë janë vënë:
Skënder Vrenozi, 57 vjeç, banues në lagjen “16 Prilli” Fier.
Spartak Çeraj, 43 vjeç, banues në lagjen “Perash”, Shkodër.
Klaudio Hasaj, 32 vjeç, banues në lagjen “Perash” Shkodër.
Gjatë kontrolli të ushtruar në lagjen “16 Prilli” në banesën e shtetasit Skënder Vrenozi dhe në lokalin në pronësi të tij “Gentvis”, Patos , u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 75.5 Kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa.
Gjatë operacionit, bashkë me shtetasin Skënder Vrenozi, ishin edhe Spartak Çeraj dhe Klaudio Hasaj të cilët dyshohen si bashkëpunëtor të kësaj veprimtarie kriminale.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e E. V, 31 vjeç, (djali i Skënder Vrenozi), u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri tip pistoletë TT me 1 krëhër dhe 5 fishekë.
I riu E. V u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Dosja i ka kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Fier për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.