I zgjedhur për një mandat të dytë në krye të Partisë Demokratike, duket se Lulzim Basha nuk do të presë shtatorin për të filluar aksionin e tij opozitar kundër mazhorancës së majtë.
Në një shkrim të publikuar në variantin online të “Rilindjes Demokratike”, organ zyrtar i PD-së, paralajmërohet se në datën 26 korrik opozita do të nisë punë me kohë të plotë.
Konkretisht bëhet e ditur se pikërisht në këtë datë, PD-ja pritet të organizojë një nisëm për të kundërshtuar sipas saj “rritjen e çmimit të ujit të pijshëm për qytetarët e Tiranës me 35% pa bërë asnjë konsultim dhe pa dhënë asnjë arsye se përse duhet rritur ky çmim në mënyrë kaq drastike”.
Në artikullin e RD-së thuhet gjithashtu se “më 26 korrik duhet të ndahet mirë edhe se kush do të jetë opozita e vërtetë dhe kush do të jetë opozita e dyzuar me pushtetin. Kush do të jetë në anën e qytetarëve dhe kush në anën e përfitimeve. Kush zgjedh pushimet në politikë dhe kush zgjedh dylyftimet politike. 26 korriku do të konsiderohet si testi i parë i opozitës”, – shkruan “RD”.
ARTIKULLI I PLOTË I “RILINDJES DEMOKRATIKE”
Sfida nis nga sot, 60 mijë demokratë flasin me votë
Në procesin e votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike morën pjesë gjithë 57.5% të anëtarësisë, ose 59.766 anëtarë, nga 103.952 që ishin në listë.
Plot 104 mijë anëtarë të PD-së u thirrën dje të marrin pjesë në votim për të shprehur verdiktin e tyre se kush duhet ta drejtojë Partinë Demokratike në 4 vitet në vijim, midis dy kandidatëve Lulzim Basha dhe Eduard Selami. Nga sa u raportua nga Komisioni i operacioneve elektorale, por dhe në rrethe që ndoqën këtë proces, votimi shkoi normalisht. Procesi i numërimit ka nisur mbarë afër mesnatës dhe pritet që në orët e para të mëngjesit demokratët të zyrtarizojnë emrin e Kryetarit që do tiu udhëheqë në një mandat të ri politik përgjatë katër viteve të ardhshme.
Nga sot nis një sfidë për Kryetarin e PD që ka marrë dje mandatin e afro 60 mijë demokratëve. Një pjesëmarrje e lartë, e cila ka kaluar edhe pjesëmarrjen e anëtarësisë të katër viteve më parë me afro 10%. Në të njëjtën kohë, kjo pjesëmarrje dhe ky angazhim është një përgjegjësi për Kryetarin e PD dhe të gjitha strukturat përgjatë ditëve, javëve dhe muajve të ardhshëm.
Vendit i duhet opozita dhe opozitës i duhet lideri që të udhëheqë popullin opozitar në betejat politike, të cilat nuk do të jenë të lehta. Ndoshta nuk duhet pritur as shtatori për të bërë bilancet. Larg burokracive opozita duhet të nisë punë që nga 26 korriku, dita kur kryebashkiaku i Tiranës në bashkëpunim me kreun e qeverisë kanë rënë dakort që të rrisin çmimin e ujit të pijshëm për qytetarët e Tiranës me 35% pa bërë asnjë konsultim dhe pa dhënë asnjë arsye se përse duhet rritur ky çmim në mënyrë kaq drastike.
Me 26 korrik duhet të ndahet mirë edhe se kush do të jetë opozita e vërtetë dhe kush do të jetë opozita e dyzuar me pushtetin. Kush do të jetë në anën e qytetarëve dhe kush në anën e përfitimeve. Kush zgjedh pushimet në politikë dhe kush zgjedh dylyftimet politike. 26 korriku do të konsiderohet si testi i parë i opozitës.
Një opozitë më afër qytetarëve do ta ketë më të lehtë të rifitojë besimin e humbur. Kjo është rruga nga duhet të kalojë ringritja e PD. Larg podiumeve dhe më afër shesheve. Larg konferencave dhe më afër protestave. Mos e kërkoni ringritjen dhe bashkimin e demokratëve tek bisedat e gjata në odat e pafund të politikës që më tepër se të afrojnë tek suksesi real të fusin në labirinthe pazaresh pa skrupuj.
Dëshpërimi nuk është i vogël. Shqipëria ka humbur betejën me zgjedhjet e lira më 25 qershor. Tani i duhet të fitojë betejën e opozitarizmit.