Ilir Meta do të marrë sot zyrtarisht detyrën e Presidentit të Republikës, pas betimit që do të bëjë në Parlament, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për ditën e hënë, në orën 18:00.
Presidenti i zgjedhur vetëm nga maxhoranca e majtë që në muajin prill, pritet të betohet sot edhe para deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët bojkotuan zgjedhjen e tij si kreu i ri i shtetit.
Në këtë ceremoni nuk do të marrin pjesë deputetët që dolën nga zgjedhjet e 2017-ës, por ligjvënësit që kanë fituar mandatin në legjislaturën e vitit 2013, pjesa më e madhe e të cilëve mbeti jashtë listave të zgjedhjeve të 25 qershorit.
Ceremonia pritet të nisë në orën 18:00 në Parlamentin e Shqipërisë. Duke qenë se Ilir Meta ka aktualisht dhe postin e kryetarit të Kuvendit, rolin e tij pritet ta ushtrojë nënkryetarja, Valentina Leskaj.
Pas leximit të formulës së betimit, Meta do të betohet para deputetëve të Kuvendit, dhe do të mbajë një fjalë përshëndetëse.
Fill pas saj, e konkretisht rreth orës 19:00, Meta pritet të drejtohet në selinë e Presidencës për të zhvilluar aty një tjetër ceremoni zyrtare me rastin e marrjes së detyrës.
Burime shumë pranë stafit të Metës pohojnë për “BalkanWeb” se Presidentin e sapobetuar do ta presë në zyrë paraardhësi i tij Bujar Nishani me të cilin pasi të realizojnë edhe foton e rastit do të dalin sëbashku në sheshin para godinës së Presidencës ku Meta pritet të mbajë edhe një fjalim para dhjetëra të ftuarve.
Të njëjtat burime pohojnë se gjatë kësaj ceremonie, Metës do t’i dorëzohet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.
Mandej mësohet se pas fjalës së rastit Meta pritet të përcjellë në mënyrë simbolike Nishanin nga Presidenca e më pas ceremonia zyrtare do vijojë me 21 të shtëna me top nga forcat e Gardës së Republikës në një prej kodrave shumë pranë Tiranës.
Meta do të ushtrojë detyrën e Presidentit pa pasur në krah Zonjën e Parë. Monika Kryemadhi, bashkëshortja e Ilir Metës, e zgjedhur si kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk ka pranuar të heqë dorë nga politika dhe të mbajë pozicionin honorifik të Zonjës së Parë.
Në ceremonialin e protokollit të shtetit nuk është parashikuar rasti i mospranimit të ushtrimit të këtij funksioni nga bashkëshortja.
“Nëse Presidenti është i pamartuar ose i ve, asnjë nga familjarët e tij nuk mund të përfaqësojë apo të luajë rolin e zonjës së parë. Në veprimtarinë zyrtare, Presidenti i Republikës paraqitet i pashoqëruar”, thuhet në ceremonial.
Por në ceremonitë festive, Presidenti mund të marrë një nga familjarët, i cili trajtohet me status të veçantë, por jo si Zonjë e Parë.
CEREMONIA E FILLIMIT TË DETYRËS SË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS
1. Ceremonia e fillimit të detyrës së Presidentit të Republikës zhvillohet si një e tërë, e ndarë në dy momente kryesore, në sallën e Kuvendit dhe në Selinë e institucionit të Presidentit të Republikës.
2. Ditën e caktuar, në seancën e Kuvendit të Shqipërisë, përveç deputetëve, mund të marrin pjesë edhe të ftuar të tjerë të huaj dhe titullarët e përfaqësive diplomatike. Protokolli i Kuvendit drejton ceremoninë në sallën e Kuvendit.
3. Presidenti në detyrë, me familjen e tij, zë vend në lozhën nr.1, kurse në atë ngjitur vendoset familja e Presidentit të zgjedhur.
4. Në orën 18:00, Presidenti i Republikës mbërrin në hyrjen kryesore të Kuvendit dhe po në këtë moment del aty për ta pritur Kryetari i Kuvendit dhe mbasi përshëndeten, hyjnë nëpërmjet sallës dhe zënë vend në podium.
5. Kryetari i Kuvendit fton Presidentin të ngrihet në këmbë për të bërë betimin, ndërkohë që të gjithë të pranishmit janë të ulur nëpër vendet e tyre. Kryetari i Kuvendit lexon formulën e betimit, sipas kushtetutës, neni 88, pika 3. Presidenti deklaron:”Betohem” (Presidenti mund të shtojë “Zoti më ndihmoftë”).
6. Ekzekutohet himni kombëtar i Shqipërisë dhe të gjithë të pranishmit ngrihen në këmbë. Kryetari i Kuvendit fton Presidentin për të marrë fjalën përshëndetëse para Kuvendit. Presidenti mban fjalën.
7. Kryetari i Kuvendit uron Presidentin për detyrën dhe deklaron mbylljen e seancës plenare, duke kërkuar leje për ta shoqëruar Presidentin deri në hyrjen kryesore. Të gjithë të pranishmit ngrihen në këmbë.
8. Mbas Kuvendit të Shqipërisë, ceremonia presidenciale vijon në Selinë e institucionit të Presidentit të Republikës. Të ftuarit mbërrijnë në Selinë e institucionit të Presidentit të Republikës deri në orën 19:15 dhe zënë vendet e caktuara për ta. Tribuna A rezervohet për miqtë e huaj dhe titullarët e përfaqësive diplomatike, kurse tribuna B, për personalitetet e larta shtetërore dhe miqtë vendas.
9. Në orën 19:25 mbërrin dhe zë vend në krye të shkallëve të Selisë së institucionit të Presidentit të Republikës ish-Presidenti i Republikës.
10. Në orën 19:30 mbërrin Presidenti i Republikës, makina e të cilit shoqërohet nga truproja e nderit në katër motoçikleta ceremoniale.
11. Zhvillohet ceremonia e nderit sipas skemës përkatëse. Presidenti drejtohet dhe zë vend në krye të shkallëve të Selisë së institucionit të Presidentit të Republikës, në të djathtë të ish-Presidentit. Në të dyja anët e shkallëve janë vendosur oficerë të Gardës së Republikës me uniforma ceremoniale.
12. Ekzekutohet himni kombëtar, i cili shoqërohet me 21 të shtëna topi artilerie me interval 30 sekonda nga njëra-tjetra. Gjatë gjithë kohës, flamuri kombëtar qëndron i ngritur.
13. Drejtori i Protokollit të Shtetit fton kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, që, në mënyrë simbolike, t’i dorëzojë Presidentit të ri, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Gjatë dorëzimit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese deklaron: “I nderuar zoti President, kam nderin t’ju dorëzoj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
14. Drejtori i Protokollit të Shtetit fton Presidentin e zgjedhur të Republikës të bëjë përshëndetjen e rastit.
15. Zhvillohet parakalimi tradicional i truprojës së nderit. Pas kësaj, të pranishmit ftohen në Pallatin e Brigadave për të marrë pjesë në pritjen zyrtare.