Nga: Rezarta DELISULA
Kërcënohet me jetë Drejtori i Përgjimeve të Shërbimit Informativ Shtetëror, Dritan Tota dhe familja e tij. Gazeta Shqiptare mëson eskluzivisht se drejtori i SHISH e ka bërë vetë denoncimin në prokurori, ndërsa rasti është regjistruar si procedim penal me motiv “Kanosje për shkak të detyrës”.
Mësohet se Drejtori i Përgjimeve në SHISH ka marrë një mesazh nga një numër kosovar ku ai dhe familja kërcënohen me jetë.
Ndërkaq, burime pranë familjes thonë se të afërmit e Dritanit kërkojnë mbrojtje nga shteti. Dritan Tota është emëruar drejtor i Përgjimeve në vitin 2013, por me eksperiencë të gjatë në Shërbimin Informativ Shtetëror.
E gjithë çështja është mbajtur tepër sekrete edhe për shkak të pozicionit të punës që ka mbajtur Dritan Tota. Burime konfidenciale thonë për Gazeta Shqiptare që një nga pistat më kryesore ku po hetohet është ngjarja e arrestimit të myslimanëve në Shkodër para ndeshjes me Izraelin, pasi ka qenë Shërbimi Informativ Shtetëror ai që ka informuar prokurorinë mbi situatën.