Anëtari i Partisë Demokratike, dhe një prej kritikëve të Lulzim Bashës pas rezultatit zhgënjyes të zgjedhjeve të 25 qershorit, Besnik Mustafaj tha se votimi pro certifikimit të zgjedhjeve nga KQZ nga anëtarët e opozitës, është pasojë e marrëveshjes Rama-Basha.
“Ky votim 7 me 0 ku dhe anëtarët e opozitës votuan për certifikimin e zgjedhjeve, është pasojë e marrëdhënieve Rama-Basha. Nuk ka asnjë surprizë. Opozita tani s’ka më fytyrë të kërkojë që zgjedhjet nuk ishin në standardin e duhur. Basha nuk është viktimë e këtij rezultati,” tha Mustafaj në studion e lajmeve në News24.
Besnik Mustafaj tha se është në pritje të një raporti të ashpër nga OSBE-ODIHR për procesin zgjedhor, shkruan BalkanWeb.
Nuk e di nëse këto lloj zgjedhjesh do përsëriten. Ne do kemi një raport të OSBE-ODIHR që do jetë shumë më i ashpër përsa i përket procesit zgjedhor. Do të jetë platformë e rëndësishmë për të parë kuadrin ligjor që shpresojmë se do i zvogëlojë këto deformime. Zgjedhjet e kaluara patën një raport, dhe asnjë nga rekomandimet e OSBE-ODIHR nuk u pasqyrua.
Shpresoj dhe që opozita të vazhdojë të kërkojë reformën zgjedhore,” tha publicisti.