Armando Sadikut i kanë mjaftuar pak minuta për t’i treguar Legias se ka bërë mirë që ka nënshkruar me sulmuesin shqiptar dhe se tani e tutje e meriton të jetë titullar. Futbollisti i cili u transferua vetëm dy javë më parë te klubi polak, debutoi sot në Ligën e Kampioneve me klubin e tij në transfertën e vështirë në fushën e Astanës, në Kazakistan.
Sadiku e nisi ndeshjen nga stoli, por kur skuadra e tij kaloi në disavantazhin e 2 golave, trajneri Magiera vendosi të hidhte në fushë edhe sulmuesin shqiptar, në minutën ë 70-të të ndeshjes. Pa kaluar as 10 minuta, Sadiku arriti të gjente rrugën e rrjetës, duke u shfaqur në vendin e duhur për shtyrë në portë një pasim nga e djathta të Kuçarzik.
Legia pësoi edhe një tjetër gol në fundin e ndeshjes, duke e mbyllur atë me humbjen 3-1, por goli i Sadikut mban në garë polakët për kalimin e turit, pasi në duelet me eliminim direkt ka shumë rëndësi realizmi i një rrjete në fushën kundërshtare.