Prishja e ndërtimeve në Dhërmi, reagon Ministria e Kulturës: Ja si është e vërteta

0
172

Ministria e Kulturës ka reaguar sot ndaj deklaratës së Athinës zyrtare lidhur me prishjen e disa ndërtimeve në Dhërmi, ku akuzonte Shqipërinë për shkeljen e ligjeve të veta dhe të drejtave të minoriteteve.

 

 

Sipas saj, veprimet e ndërmarra për prishjen e dy ndërtimeve në Dhërmi janë pjesë e një procesi të nisur që më 2016 dhe se plani është miratuar bashkë me komunitetin.

Ministria e Kulturës deklaron se dy ndërtimet janë identifikuar si objekte që cenojnë trashëgiminë kulturore në këtë zonë. Për më tepër Ministria sqaron se pronarët janë dëmshpërblyer konform ligjit.

DEKLARATA E MINISTRISË SË KULTURËS
Në vijim të Deklaratës për shtyp të Ministrisë së Jashtme të Greqisë, më datë 26 korrik 2017, dëshirojmë të sqarojmë se veprimet e ndërmarra nga organet ligjzbatuese për prishjen e dy ndërtimeve në fshatin Dhërmi, janë pjesë e një procesi të nisur që në prill të vitit 2016 nga Ministria e Kulturës për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në këtë zonë.

Plani përkatës, pjesë e një strategjie në nivel kombëtar, është konsultuar gjerësisht dhe është miratuar bashkë me komunitetin dhe organet e pushtetit vendor të Bashkisë Himarë. Kësisoj, janë identifikuar edhe ndërtimet që cenojnë trashëgiminë, janë bërë të gjitha njoftimet përkatëse në lidhje me prishjen e ndërtimeve pa leje, shpronësimin, si dhe janë kompensuar pronarët në bazë të ligjit në fuqi. Në rastin konkret, bëhet fjalë për dy godina të ngritura mbi një burim uji brenda zonës së mbrojtur si trashëgimi kulturore. Për pronarët e prekur janë respektuar të gjitha procedurat ligjore, si për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe në përputhje me të gjitha normat e konventat ndërkombëtare.

Në këtë kuadër, si për Himarën ashtu edhe për të gjitha qendrat e tjera në vend, janë ndërmarrë të gjitha hapat që parashikon ligji në fuqi. Në asnjë rast dhe në asnjë hallkë të procesit, nuk ka pasur anashkalim, shkelje të dispozitave ligjore apo qasje selektive nga organet kompetente ligjzbatuese. Edhe në rastin konkret, janë shteruar të gjitha etapat, afatet ligjore, përfshirë konsultimin publik me pronarët, njoftimin, shpronësimin dhe prishjen e objekteve, që tashmë janë të klasifikuara si pronë publike.

Siç kemi sqaruar edhe në rastet e deklaratave të mëparshme për të njëjtën temë, sundimi i ligjit është në interes të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, qofshin shqiptarë, përfaqësues të pakicës greke apo pakicave të tjera pa dallim, përjashtim apo diskriminim. Mbi këtë bazë, çdo qytetar shqiptar, minoritar ose jo, ka të drejtën t’i drejtohet gjykatave shqiptare si organet kompetente për interpretimin e Ligjit në Republikën e Shqipërisë.

Shqipëria beson fuqimisht se vetëm zgjidhjet e bazuara në shtetin e së drejtës dhe respektimin e ligjit për të gjithë, garantojnë perspektivën europiane të vendit, ashtu siç theksohet dhe në përfundimet e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE të dhjetorit 2016. (Outcome of the EU Council Meeting of General Affairs – 13 December 2016).”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here