“Unë e mirëkuptoj Erion Veliajn kur thotë se çmimi i ujit duhet të rritet në mënyrë që të mund të bëhen investime për zgjidhjen tërësore të problemit të furnizimit me ujë të Tiranës, por kam një pyetje: Si do të kishte reaguar drejtuesi i Lëvizjes “Mjaft” ndaj një kryetari të bashkisë së Tiranës që do të arsyetonte si Veliaj dhe do te merrte me këtë rast vendime të guximshme, siç u shpreh Veliaj.”
Nga Kastriot Myftaraj
Drejtuesi i “Mjaft” Veliaj nuk do ta kishte pranuar arsyetimin e kryetarit të bashkisë Veliaj dhe do të kishte organizuar protesta teatrale ndaj kryetarit përkatës të bashkisë.
Kjo komedi e së shkuarës nuk do të kishte pasur asnjë rëndësi nëse Lëvizja “Mjaft” nuk do të kishte qenë një gllabëruese e madhe e parave të dhëna nga ambasadat dhe fondacionet perëndimore, të cilat i janë llogaritur si ndihmë teknike Shqipërisë. Bëhet fjalë për jo më pak se 15 milionë euro. Nëse këto para do të ishin dhënë për përmirësimin e rrjetit të ujërave të bardha, a nuk do të kishin qenë më të efektshme?
Dhe angazhimi te “Mjaft” është e vetmja “punë” që ka bërë Veliaj, para se të merrte poste të larta politike nga partia e tij, në të cilat luan me paratë e taksapaguesve. Shkurt, Lali Eri, siç kërkon të vetëpromovohet Veliaj te qytetarët e Tiranës, ka një të shkuar prej demagogu. A është për t’ u besuar Veliaj? Ata që e kanë votuar thonë se do ta tregojë veten me punën që do të bëjë. Nëse vërtet bën punë të vlefshme, do të jetë demagogu i parë në botë që përgënjeshtron veten pozitivisht.
Erion Veliaj, me taksat dhe tarifat e rritura do të ketë një buxhet aq të madh sa ç’ kishte qeveria qendrore për krejt vendin kur LaliEri u kthye në Shqipëri. Dhe dihet se për të vjedhur paratë e buxhetit, qoftë ky qendror, qoftë lokal, duhet të shtiresh sikur bën punë të mëdha.”