Sherri për betonin, nëna tentoi ta ndalte dy herë djalin, por ai e qëlloi me pistoletë dhe pastaj vrau babanë

0
148

Derdhja e një karroce me beton ka qenë shkak i zënkës mes djalit e babait që u vra nga i biri në Bathore, katër ditë më parë.

Pas krimit të rëndë në Bathore, ku djali vrau babain e plagosi nënën, Prokuroria për Krime të Rënda dërgoi në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj të riut.

Organi i akuzës mësohet se ka kërkuar caktimin e masës “arrest me burg” për shtetasin Mirald Metallari, 21 vjeç, për kryerjen e veprave penale të “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare (me viktimë babain e tij); “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, me të dëmtuar nënën e tij, si edhe “mbajtje pa leje e armëve luftarake”.

Prokuroria për Krime të Rënda bën me dije se e ka nisur hetimin në bazë të referimit policor, sipas të cilit, mesditën e datës 24.07.2017, Mirald Metallari dyshohet se ka qëlluar për vdekje me armë tip pistoletë babain e tij, shtetasin Miftar Metallari, si edhe ka plagosur nënën e tij, shtetasen Nurie Metallari.

Pas marrjes së informacionit në lidhje me ngjarjen, është formuar grupi hetimor, është shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga kontakti i parë është mësuar se shtetasi Mirald Metallari, pas një konflikti çasti që ka pasur me të atin, shtetasin Miftar Metallari, ka marrë armën e këtij të fundit dhe ka shtënë disa herë në drejtim të tij duke e lënë të vdekur.

“Po ashtu, në momentin që ka qenë duke shkuar për të kryer aktin, përpara i ka dalë nëna e tij, shtetasja Nurie Metallari, e cila ka dashur ta pengojë të kryejë aktin, por Miraldi ka shtënë në drejtim të saj. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 6 gëzhoja pistolete”, bën me dije Prokuroria.

DËSHMIA E AUTORIT

Prokuroria bën me dije se është pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime në praninë e avokatit të zgjedhur kryesisht, shtetasi Mirald Metallari, i cili ndër të tjera ka deklaruar:

“Më datë 24.07.2017, rreth orës 6 të mëngjesit, ka ndihmuar të atin (Miftarin) për të bërë disa punime në oborrin e shtëpisë së tyre dhe kur ka qenë duke punuar, rreth orës 11:00, në një moment i është derdhur karroca e mbushur me llaç në tokë. I ati e ka gjuajtur me grusht në pjesën e buzës dhe pas këtij veprimi, Miraldi ka hyrë në banesë, ku aty kanë qenë 2 (dy) motrat e tij, të cilat kanë dalë jashtë dhe ky ka shkuar te dhoma e të atit.

Aty ka marrë armën e shërbimit të babait dhe pasi ka dalë me armë në dorë te dera, ka vërejtur të ëmën, shtetasen Nurie Metallari, e cila ka tentuar ta ndalojë dhe në këtë moment ai e ka shkrepur armën me drejtim nga dyshemeja. Nëna e tij ka dashur përsëri ta ndalojë, por Miraldi ka qëlluar me armën e zjarrit në drejtim të saj në një distancë prej 3 (tre) metrash. Ndërkohë, i ati, Miftari, ishte duke ardhur në drejtim të Miraldit.

Ky i fundit ka hapur zjarr edhe ndaj tij, duke mbaruar të gjithë fishekët që kishte në karikatorin e pistoletës. Më pas Miraldi thekson se ka shkuar tek e ëma, e cila ishte shtrirë përtokë në verandën e shtëpisë, e ka marrë atë dhe e ka futur në makinën e tij, me qëllim për ta dërguar në spital.

Me vete ka pasur edhe armën e zjarrit që kishte kryer ngjarjen. Ai është nisur për në Spitalin e Traumës Laprakë. Kur ka qenë në hyrje të rrugës për te spitali, e ka ndaluar një patrullë policie dhe e ka shoqëruar në mjetin e policisë, ndërsa të ëmën e kanë dërguar në Spitalin e Traumës.

Në deklarimin e tij, ky shtetas thekson se armën ua ka dorëzuar vetë punonjësve të policisë. Në shpjegimet e tij ky person sqaron se nuk ka pasur konflikte të mëparshme me të atin”./panorama.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here