Gjykata e Krimeve të rënda ka shfaqur sot shfaq pamjet filmike të kamerave të sigurisë nga parkingu i lokalit në Durrës ku më 6 janar 2016 u rrëmbye Gazmend Çollaku, i cili u torturua dhe më pas u gjet i vrarë në Krujë.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se në pamje shfaqet Çollaku teksa parkon makinën e tij. Në këto moment i afrohet një mjet tjetër nga ku dalin disa persona dhe e fusin me forcë në makinë. Pamjet nuk janë shumë të qarta pasi objektivi është në distancë të largët. Gjithë ngjarja ndodh në distancë të largët. Shquhen vetëm siluetat e personave por nuk dallohen as fytyrat dhe as uniformat. Seanca e radhës do të zhvillohet në shtator pas pushimeve verore.
Gazmend Çollaku u rrëmbye mbrëmjen e 6 janarit në parkingun e një lokali në Durrës nga persona të veshur me uniformë. 12 orë më vonë, ai u gjet i pajetë në Murqinë të Krujës. Prokuroria tha se viktima pasi ishte torturuar, ishte qëlluar me plumb në kokë dhe i lidhur këmbë e duar me fasheta të zeza ishte hedhur anë rrugës.
Në seancën e kaluar gjyqësore për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut janë paraqitur analizat e gjakut të gjetur në makinën ku ndodhej viktima dhe rezulton se nuk i përket asnjërit prej të dyshuarve, as Denis Shtrazës dhe as Ervin Dalipajt (i ndjerë).
Në këtë seancë pritej dhe shfaqja e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë të parkingut të pallatit ku u rrëmbye Çollaku. Këtë here këto pamje nuk u bënë të mundura të shfaqen për shkak të një defekti teknik në kompjuterin e gjykatës, dhe shfaqja e tyre u bë sot në seancën e radhës.
Për vrasjen dhe më pas zhdukjen e Gazmend Çollakut aktualisht ndodhet i arrestuar vetëm Denis Shtraza. Ndërkohë ky i fundit ka mohuar lidhjen me këtë ngjarje.