Mbetjet në Kamëz, reagon Bashkia: Qeveria nuk financon landfillin

0
427

Pas denoncimit se Kamza është mbuluar nga mbeturinat urbane, ka reaguar sot Bashkia e Kamzës.

Përmes njoftimit thuhet se problemi është krijuar nga vatrat e zjarrit në vend-depozitimin e mbeturinave të Kamzës, duke vështirësuar transportin dhe zhvendosjen e tyre.

Njoftimi i plotë i Bashkisë:

Angazhimi dhe përgjegjshmëria e Bashkisë Kamëz ndaj qytetarëve është maksimale përballë vetos qeveritare, e cila nuk financon ngritjen e landfillit si dhe 135 projekteve që flenë në syrtarët e saj

Ditët e nxehta të kësaj periudhe verore kanë krijuar problemet e vatrave të zjarreve edhe në Kamëz. Një situatë e tillë ka shpërthyer edhe në venddepozitimin e mbeturinave në territorin e Bashkisë Kamëz. Kjo situatë ka vështirësuar disi problematikën e transportit dhe zhvendosjes së mbetjeve urbane në qytet drejt venddepozitimit, pasi hedhja e tyre në këtë vend do të nxiste fenomenin e djegieve dhe do të krijonte një problematikë të jashtëzakonshme jo vetëm për qytetarët që janë në afërsi të kësaj pike, por për mbarë qytetarët e Kamzës.

Në këto kushte, Bashkia po monitoron dhe po ndjek situatën për të neutralizuar ndotjen si shkak i zjarrit të ndezur në këtë venddepozitim. Ndërkohë, po punohet dhe do të punohet 24 orë për të stabilizuar gjendjen dhe për të gjetur alternativat e duhura për transportimin e mbeturinave të qytetit. Shumë shpejt do të zgjidhim këtë problem, që nuk është vetëm në Kamëz, por në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Organizimi i largimit të mbetjeve të qytetit ka filluar dhe së shpejti situata do të jetë normale, duke u ardhur në ndihmë qytetarëve të Kamzës, por edhe bizneseve që janë pranë venddepozitimit për të vazhduar një aktivitet normal, gjithmonë me kujdesin e mbrojtjes së mjedisit dhe jetës së qytetarëve të Kamzës.

Angazhimi i Bashkisë Kamëz në funksion të qytetarëve ka qenë maksimal përballë vetos qeveritare të qeverisë së “Rilindjes”. Në 4 vite kemi kërkuar bashkëpunim për thithjen e investimeve përfshirë dhe ngritjen e një landfilli, por nuk kemi pasur përgjigje nga kjo qeveri, e cila e ka diskriminuar politikisht Kamzën dhe banorët e saj duke qenë se kanë votuar Partinë Demokratike. Në sirtarët e qeverisë flenë mbi 135 projekte që nuk janë financuar, duke qenë se në 4 vite Bashkisë Kamëz i kanë kaluar zero fonde!

Pergjegjshmëria e Bashkisë Kamëz ndaj qytetarëve ka qenë dhe është maksimale si në shërbimet e ofruara, ashtu edhe investimeve të kryera në infrastrukturë. Kjo përgjegjshmëri dhe përkushtim ndaj qytetarëve është përkthyer në besim me votë në çdo palë zgjedhje lokale dhe parlamentare, ku është votuar logoja e Partisë Demokratike si dhe i zgjedhuri i saj për drejtues vendor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here