Raporti i fundit i auditimit i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ka zbuluar se në fushën e lojërave të fatit është vendosur një rekord i ri dëmi. Plot 375 milionë euro është shifra e të ardhurave të munguara që sipas KLSH nuk janë mbledhur nga ana e institucioneve përgjegjëse.
Periudha e audituar i përket aktivitetit në tre vite 2014-2016 të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare që përkon edhe me fillimin dhe fundin e aksionit “Fundi i Marrëzisë”, që synoi të sillte në shina aktivitetin e lojërave të fatit në vend.
“Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën e përgjithshme 76,4 miliardë lekë nga e cila Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të fatit, në vlerën 50,2 miliardë lekë si pasojë e mos ushtrimit të kompetencave për kundravajtjet administrative për gjobat e pavendosura në kuadër të konfiskimeve të pajisjeve nga njësia e mbikëqyrjes financiare” thuhet në raportin e KLSH.
Më pas listës i shtohet edhe Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës me një dëm prej 19 miliardë lekësh si dhe Ministria e Ekonomisë, Turizmit Tregtisë dhe Sipërmarrjes me 2.4 miliardë lekë.
Llogaritja totale e dëmit 590 milionë euro
KLSH ndan dëmin e konstatuar në dy zëra. I pari është dëm i shkaktuar si rezultat i parregullsisë dhe shkeljeve financiare në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera afërsisht 14.4 milionë euro dhe i dyti dëmi që vjen si rezultat i shkeljes së disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara në shumën 575.5 milionë euro.
Në total për pjesën e parë të vitit zhvilluan 107 auditime nga të cilat vetëm 54 janë përfunduar dhe evaduar, 16 ende të paevaduar dhe 40 në proces auditimi. /Monitor