Kryebashkiaku Mziu: Qeveria nuk jep leje mjedisore për venddepozitimin e ri të mbetjeve në Valias dhe nuk na financon landfillin

0
176

Venddepozitimi aktual i mbetjeve, me leje mjedisore. Prej vitesh kemi kërkuar alternativa për transportin e mbetjeve urbane. Bëjmë thirrje për zgjidhje të problemit, i gatshëm të bisedoj me banorët e Kamzës për çdo zgjidhje, por jo me ata që janë banorë të Tiranës dhe strukturë e PS-së
Problematika e krijuar në venddepozitimin e mbetjeve në Kamëz ka bërë që kryebashkiaku Xhelal Mziu ta vlerësojë jo vetëm që nga dita e parë, por edhe të jetë absolutisht i angazhuar sikurse prej vitesh në 3 mandatet e drejtimit të tij për një qytet të pastër. Situata e krijuar në pikën e depozitimit të mbetjeve, si pasojë e rënies së zjarrit te vendi i quajtur Argjinatura, ka krijuar probleme në zhvendosjen e plehrave në qytet. Kjo nuk do të thotë që Bashkia Kamëz nuk ka qenë aspak e përgatitur për të pasur alternativa, si dhe për t’u bërë ballë situatave të tilla me të cilat do të ndeshej. E gjendur përballë fenomenit të krijuar javën e fundit, ardhur për shkak të zjarreve, një problem i cili me të drejtë ka bërë që banorët të cilët janë pranë këtij venddepozitimi të jenë të irrituar dhe protestojnë, Bashkia Kamëz ka punuar dhe po punon 24 orë për t’i dhënë zgjidhje problemit. Me gjithë strukturën e Bashkisë, por edhe me persona të tjerë, të cilët janë kontaktuar edhe privatisht, po punohet intensivisht për heqjen e këtyre mbetjeve për të mos krijuar problematika me qytetarët.
Veç reagimit zyrtar sqarues nga Bashkia një ditë më parë, kryebashkiaku Xhelal Mziu, në funksion të zgjidhjes, sot ka folur për mediat rreth situatës së krijuar, ka takuar edhe ambientalistin Sazan Guri, si dhe ka pranuar të takojë edhe një përfaqësi të banorëve, mjafton që ata të ishin banorë të Bashkisë Kamëz dhe të mos përdoreshin politikisht, pasi organizatori kryesor i protestës ishte përfaqësues i PS-së dhe me banim në Zall-Herr, njësi administrative e Tiranës. Në këtë komunikim me mediat, kryebashkiaku Xhelal Mziu dha argumentet e tij në funksion të zgjidhjes së situatës, duke qenë transparent me qytetarët.

 

Argumentet e kryebashkiaku të Kamzës, Xhelal Mziu, për situatën e mbetjeve urbane

Së pari, duhet theksuar se pika e venddepozitimit të mbetjeve ku aktualisht ato hidhen është brenda normave teknike e ligjore, e miratuar, ku akt miratimi i rifreskuar i lejes së mjedisit të tipit C është bërë nga Agjencia Rajonale e Mjedisit më 12.8.2016, me nr. prot. 724 dhe nr. identifikimi të lejes 724 dhe e konfirmuar nga Ministria e Mjedisit më 26.10.2016 me nr. prot. 6976 nr. identifikimi 193.
Pra, zona ku deri më tani hidheshin dhe hidhen mbetjet urbane të Bashkisë Kamëz, është brenda të gjitha normave, sepse kjo zonë nuk ishte e populluar deri në kohën në të cilën është bërë miratimi si venddepozitim i mbetjeve urbane të planifikuar për qytetarët e kësaj njësie administrative, duke qenë një pikë grumbullimi prej 20 vitesh. Menaxhimi i mbetjeve nuk është vetëm një shqetësim për Bashkinë Kamëz, por thuajse për 90% të bashkive të Shqipërisë, të cilat vazhdojnë që të kenë trajtimin e mbetjeve urbane në mënyrë gati primitive, pra që s’kanë një landfill.
Së dyti; e gjendur në këto kushte, Bashkia Kamëz, kryebashkiaku Xhelal Mziu jo vetëm në këto ditë, por edhe disa vite më parë ka kërkuar gjetjen e një zgjidhjeje për ndërtimin e një landfilli që të jetë bashkëkohor, por që të mos krijojë problematika edhe për qytetarët. Kjo kërkesë e Bashkisë Kamëz sigurisht që ka rënë në vesh të shurdhër. Kjo qeveri e ka diskriminuar politikisht Kamzën dhe banorët e saj. Në sirtarët e qeverisë flenë mbi 135 projekte që nuk janë financuar.
Së treti; Bashkia Kamëz ka menduar ndërkohë alternativa të tjera për vendgrumbullimin e mbetjeve, siç është Valiasi, ku mbështetur në ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”, ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, planin e përgjithshëm vendor, me miratimin të KKT nr. 8 datë 20.12.2012, Këshilli Bashkiak Kamëz më 19.9.2016, me vendimin nr. 114, vendosi miratimin e venddepozitimit të mbetjeve (landfill) prej 5 ha në Valias e miratuar kjo dhe nga Prefektura. Pas miratimit nga Këshilli Bashkiak, Bashkia Kamëz me qëllim krijimin e një pike tjetër për venddepozitimin e mbetjeve, ka bërë kërkesën pranë Agjencisë Rajonale të Mjedisit më 6 janar 2017 si dhe aplikimin për leje në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 23 janar 2017. Pavarësisht se kërkesa e Bashkisë Kamëz për venddepozitimin e ri në Valias, i cili do t’u vijë në ndihmë qytetarëve, i ka të gjithë dokumentet e duhura shoqëruese, kthimi i përgjigjes nga Agjencia Rajonale e Mjedisit është i padrejtë, në kurriz të qytetarëve dhe të Bashkisë Kamëz. Më 13 shkurt 2017, me shkresën me nr. prot. 29, Agjencia Rajonale e Mjedisit Tiranë i refuzon lejen e mjedisit Bashkisë Kamëz, duke sjellë për pasojë dhe situatën në të cilën gjendemi në ditën e sotme.
Së katërti; Bashkia Kamëz ka qenë gjithnjë në anën e qytetarëve dhe mbështet çdo pakënaqësi të tyre dhe jep mbështetjen për zgjidhjen e çdo problemi, por asnjë banor i Kamzës nuk duhet të përdoret politikisht. Përgjegjshmëria e Bashkisë Kamëz ndaj qytetarëve ka qenë dhe është maksimale, si në shërbimet e ofruara, ashtu edhe investimeve të kryera në infrastrukturë.
Kryebashkiaku Xhelal Mziu, duke pasur vullnetin që kjo situatë të zgjidhet, takoi ambientalistin Sazan Guri, personi që po negocionte dhe i ka kërkuar të diskutonte me të dhe qytetarët e Kamzës zgjidhjen e problemeve, por ai nuk mund të presë anëtarët e Partisë Socialiste të Zall-Herrit, të një bashkie tjetër, për të protestuar për problematikat të cilat janë të Kamzës. Kryebashkiaku Mziu kërkoi të takonte një përfaqësi banorësh nga Kamza, kurse banorët e Tiranës mund të diskutojnë zgjidhjen e shqetësimeve të tyre që kanë me kryebashkiakun e tyre.
Së pesti; vazhdojmë të këmbëngulim për miratimin e një leje mjedisore për territorin e ri të planifikuar për këtë qëllim, në mënyrë që t’i japim zgjidhje të menjëhershme ngërçit në të cilin ka rënë procesi i transportit të mbeturinave urbane në venddepozitimin e duhur. Le të jetë ky një mesazh i qartë për institucionet qendrore, që të angazhohen seriozisht, sikurse Bashkia Kamëz, me qëllim zgjidhjen përfundimtare të problemit të mbeturinave. Për këtë qëllim Bashkia Kamëz të premten ribëri kërkesë për rivlerësim të lejes mjedisore pranë Agjencisë Rajonale të Mjedisit.
Së gjashti; vullnetplotë dhe i përkushtuar për t’i dhënë zgjidhje problemit, kryebashkiaku Xhelal Mziu i bëri sërish thirrje qeverisë, por edhe ndërkombëtarëve, për të gjetur zgjidhje, për ngritjen e një landfilli dhe dhënien e lejes mjedisore për hedhjen e mbetjeve urbane, pasi në kushtet në të cilat ne jemi, është vërtet një situatë shumë kaotike, e cila kërkon patjetër një zgjidhje emergjente dhe zgjidhja e vetme është miratimi i lejes mjedisore për hedhjen e mbetjeve urbane në Valias.

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here