Zbardhet struktura e qeverisë ‘Rama 2’. Ja çfarë do të ndodhë me 19 ministritë aktuale

0
590

Edi Rama paralajmëroi se numri i Ministrive dhe i Agjencive kryesore do të ulet ndjeshëm, por duket se paralelisht me këtë po konkretizohet edhe projekti për tkurrjen e fortë të kabinetit me vetëm 10 ministri. Ndërkohë emrat e ministrive dhe ministrave të rinj pritet të bëhen publik në gjysmën e dytë të gushtit.

Në shtator të vitit 2013, kryeministri Rama vendosi të shtojë numrin e Ministrive në 19, ku së bashku me zv/kryeministrin dhe kryeministrin, kabineti qeveritar përbëhej nga 21 qeveritarë.

Pas fitores së zgjedhjeve të vetëm në 25 qershor, pasi premtoi reformë të thellë në administratë, Kryeministri Rama me gjasë do të shkurtojë ndjeshëm kabinetin qeveritar.

Ora News ka mësuar gjithashtu, se projekti për të lënë vetëm 10 Ministri në total është më i mundshmi, që do të thotë shkurtim me 50% të ministrive aktuale, duke i dhënë më shumë kompetenca dhe përgjegjësi Ministrive të ndryshme.

Ministritë që nuk do të ndryshojnë janë Ministria e Brendshme ku nuk është fshehur preferenca e kryeministrit për Fatmir Xhafaj si ministër të saj, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe ministria e Mbrojtjes.

Në kabinetin e ri qeveritar, zëvendës/kryeministri i ardhshëm projektohet të marrë edhe një portofol. Pra në kabinetin “Rama 2”, zëvendës/kryeministri do të ketë edhe një post tjetër ministror ku më i mundshmi është Ministria e Bujqësisë.

Ministrisë së Arsimit gjithashtu mund t’i shtohen kompetencat duke përfshirë edhe kulturën në të. Ndërkohë që e mundshme është edhe një bashkim i Ministrisë së Financave me Ministrinë e Ekonomisë.

Gjatë fushatës, Kryeministri tha se rilindja urbane tashmë do të shtrihet në zonat rurale dhe për këtë pritet që Ministria e Zhvillimit Urban të ndryshojë ose t’i bashkohet Ministrisë së Transporteve dhe Inovacionit.

Në kabinetin e ri qeveritar pritet të mos jenë më Ministritë pa portofol të marrëdhënieve me Parlamentin dhe Ministria e Pushtetit vendor.

Kryeministri gjithashtu ka paralajmëruar edhe shkrirjen e disa Agjencive të mëdha dhe bashkimin e tyre në disa superagjenci ku do të përqendrohen shërbimet.

ALUIZNI dhe Zyra e Hipotekave pritet që të bashkohen në një agjenci të vetëm ndërkohë që duhet parë nëse do të krijohet një ministri e re e cila do t’i koordinojë apo këto do t’i kalojnë nën varësi Ministrisë së drejtësisë.

Kabineti i ri qeveritar do të bëhet publik në gjysmën e dytë të gushtit, atëherë kur edhe raportet nga sugjerimet e qytetarëve të jenë përpiluar.

Megjithatë asgjë nuk është e sigurt, pasi Ministritë dhe Ministrat e rinj janë ende në kokën e kryeministrit Rama.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here