Një i ri ka mbetur i vrarë në një atentat të ndodhur mbrëmjen e së dielës në një lokal në zonën e Lungomares, në qytetin e Vlorës.
Marjen Xhaferaj, 37 vjeç, u qëllua gjashtë herë me pistoletë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 dhe Policia bën të ditur se 37-vjeçari ishte në lokal i ulur me një tjetër, ku në drejtim të tij është afruar një person, i cili e ka qëlluar me armë zjarri.
Më pas autori është larguar në këmbë mes pallateve. Policia ngriti pika të shumta kontrolli, ku në ndihmë të saj për kapjen e autorit kanë ardhur Delta Forcë e FNSH. Gjithashtu, Policia ka vijuar dhe krehjen e zonës, për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Nga ana tjetër, grupi hetimor vijon punën për grumbullimin e provave, dëshmive me qëllim dokumentimin dhe identifikimin e autorit të vrasjes.
Në vendngjarje janë sekuestruar disa gëzhoja, ndërsa disa metra më tutje është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë, që dyshohet se e dispononte Xhaferaj, i cili njihej dhe me emrin Marjen Omeri.
Sipas Policisë, viktima rezulton një person me precedent kriminal e gjithashtu ka ndërruar emër dhe mbiemër. 37-vjeçari njihej në Vlorë me emrin “Reni” dhe është baba i tre fëmijëve. Dyshohet se ngjarja ka lidhje me një tjetër ngjarje kriminale të ndodhur dy vite më parë në Portin e Durrësit. Para dy vitesh u vra nipi i 37-vjeçarit, i cili jetonte shumë pranë vendit ku u vra Omeri në Vlorë.
Në vrasjen e nipit të tij në Durrës dy vite më parë, Marjen Xhaferaj dyshohet se ka qenë dëshmitar. Policia thotë se përveç ndryshimit të emrit në gjendjen civile nga Marjen Xhaferaj në Marjen Omeri, 37- vjeçari ka përdorur edhe emra të tjerë.