Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë konstatuar 5 vatra zjarri në disa qarqe të vendit. Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 56 punonjës zjarrfikës, 6 automjete, 40 forca ushtarake, si dhe helikopterë. Specialistët e Emergjencave Civile, janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.
QARKU DIBËR
Në fshatin Zdojan, Njësia Administrative Tomin ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pemë frutore. Shërbimi vendor i MZSH ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues, të cilët kanë shuar zjarrin. Për pasojë u dogj rreth 2 ha me shkurre dhe disa pemë frutore.
QARKU ELBASAN
Në fshatin Shijon, Njësia Administrative Bradashesh ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Shërbimi vendor i MZSH ka dërguar në vendngjarje 3 automjete zjarrfikëse me forca zjarrfikëse, të cilët kanë shuar zjarrin. Për pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre dhe rreth 5 rrënjë ullinj.
QARKU BERAT
Në fshatin Donofrosë, Njësia Administrative Cukalat, Ura Vajgurore ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Për të shuar zjarrin në vendngjarje kanë shkuar forca zjarrfikëse nga shërbimi vendor i MZSH, që shuan zjarrin. Për pasojë u dogj rreth 1 ha me shkurre dhe rreth 20 rrënjë ullinj.
QARKU VLORË
– Në vatrën e zjarrit në vendin e quajtur ‘Maja e Qorres’, në afërsi të Parkut Kombëtar të Llogarasë, po vijon puna edhe mëngjesin e sotëm me 2 helikopterë për të shuar zjarrin, pasi për shkak të vështirësive të terrenit nuk mund të ndërhyhet nga rrugë tokësore.
– Në fshatin Panaja, Njësia Administrative Qendër Vlorë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Shërbimi vendor i MZSH ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues, i cili ka shuar zjarrin. Për pasojë është djegur një sipërfaqe rreth 0.1 ha me shkurre dhe rreth 15 rrënjë ullinj.