Në shtator priten ndryshime të mëdha në sferën politike. Jo vetëm krijimi i qeverisë së re por edhe në selinë blu, pritet një riorganizim pozicionesh. Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputetja Dhurata Çupi, e cila ulet në kuvend me mandat të plotë, rrëfen se çfarë do ndodh. “Fillimisht PD-ja do të bëjë një analizë të thellë në çdo degë dhe strukturë të saj”,-shprehet Çupi. PD do të jetë sërisht në opozitë por jo e vetme, pasi edhe LSI-ja do të ulet në kuvendin e ri si opozitë. E pyetur nëse do të ketë një bashkëpunim PD-LSI si një opozitë e vetme, Çupi nënvizon se grupi parlamentar do të zhvillojë një opozitë ballore e të fortë. “Natyrisht mirëpret çdo individ apo parti që do të gjejë forcë morale të distancohet nga aleancat qeveritare 4-vjeçare dhe ti bashkohet opozitës tonë”.
Nga zgjedhjet e qershorit, PD mbeti sërish në opozitë por brenda partisë duket se ka një oponencë të fortë kundër kryetarit të saporizgjedhur, Lulzim Basha. Si i keni parë kritikat dhe akuzat pas humbjes në zgjedhjet e 25 qershorit dhe gjatë zgjedhjeve brenda PD-së?
Për sa i përket pyetjes tuaj dua të them se PD-ja mori pjesë në zgjedhjet e 25 qershorit në kushte të pabarabarta me kundërshtarët e saj politik. Mendoj se zgjedhjet e 25 qershorit nuk ishin as të lira, as të ndershme dhe kjo tashmë është e qartë jo vetëm për shqiptarët por edhe për organizatata ndërkombëtare që kanë monitoruar këtë proces. PD u fut në këto zgjedhje nga një opozitë 4 vjeçare e cila mendoj se ka qenë opozita më e fortë e 27 viteve demokraci. Lideri i kësaj partie, z.Basha i ka qëndruar fort kauzave opozitare dhe i ka besuar ç’ka ka bërë që edhe ti fitojë dhe kjo u ka shërbyer shqiptarëve. Të gjithë e kujtojmë luftën për dekriminalizimin politik. Të gjithë kujtojmë përpjekjet e opozitës që refoma në drejtësi të bëhej brenda parimeve kushtetuese. PD dhe z.Basha arritën të ndërgjegjësojnë opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar se Shqipëria është e mbushur me drogë rrjedhimisht edhe me krim. Jo vetëm unë por mijëra demokratë jemi të bindur që z.Basha është i vetmi lider që do ta risjellë partinë Demokratike në qeverisje.
Në shtator mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së, ku pritet të ketë një përballje direkte mes fraksioneve. Por duke parë kundërshtitë nga kritikët e Bashës, sa besoni se do të ndikojë kjo përplasje në punën e PD-së?
PD-ja si partia me jetëgjatësinë më të madhe në pushtet por edhe në opozitë dhe aktualisht si partia më e madhe opozitare është përballur me mendimin ndryshe brenda saj. Vitet kanë treguar që ndryshe ka ecur paralelisht duke çuar në ngritjen dhe zhvillimin e partisë brenda saj. Madje unë do të thoja se konseguencat opozitare të PD-së nuk vijnë për shkak të LIRISË të KUFIZUAR por përkundrazi për shkak të LIRISË pa KUFINJ.
Cilat janë projektet kryesore të Partisë Demokratike në opozitë?
PD-ja do të jetë forca opozitare në kuvend. Unë jam e bindur se grupi parlamentar do të zhvillojë një opozitë ballore e të fortë, për ti shkurtuar ditët e kësaj keqqeverisje. Shqiptarët janë të bindur se kemi të bëjmë me qeverisjen më të korruptuar në 27 vite. Pasuritë e shtetit, pronat e saj, pasuritë e saj përdoren nga një grup pushtetaresh të cilët pasurohen çdo ditë ndërsa qytetarët e thjeshtë burgosen për pamundësinë e tyre të pagesave të energjisë elektrike apo shërbimeve jetike të tyre. Por dua të veçoj se në aksionin opozitar besoj se fillimisht PD-ja do të bëjë një analizë të thellë në çdo degë apo strukturë të saj e paralelisht do të shtrijë misionin e opozitarizmit jo vetëm në parlament por në çdo cep të vendit në çdo strukturë të saj.
E shihni një bashkëpunim mes PD-LSI, si dy forca opozitare?
Ashtu siç e veçova PD-ja është forca e parë opozitare-parlamentare. Natyrisht mirëpret çdo individ apo parti që do të gjejë forcë morale të distancohet nga aleancat qeveritare 4-vjeçare dhe ti bashkohet opozitës tonë. Opozita është reagim, përballje e kurajo, kjo nuk i mungon PD-së e për këtë jam e bindur.
A mund të bashkëpunohet me qeverinë në luftën kundër drogës, për reformën në drejtësi dhe për Integrimin e Shqipërisë në Europë? A do të ketë zgjatim të paktit Rama-Basha edhe në muajt e ardhshëm?
PD-ja është dhe do të jetë në opozitë të vazhdueshme me keqqeverisjen, me korrupsionin, me shpërdorimin e pushtetit, me autoritarizmin. Dhe ky qëndrim është i qartë për ne dhe do ti shërbejë vendit në kuadër të reformave integruese.
Lëvizja për ringritjen e PD-së, ka bërë publike 11 pikat për ndryshimin e statutit. Njëra prej tyre është ngritja e menjëhershme e një komisioni të posaçëm në shtator. Zyrtarisht PD-ja nuk ka reaguar për këto kërkesa por ju si i keni parë?
Partia Demokratike ka kryetarin e saj i konfirmuar bindshëm nga mijëra anëtarë të saj. Kjo mbështetje masive e antarësisë te z.Basha, u konfirmua në zgjedhjet e 22 korrikut, njëkohësisht i dha autoritetin për drejtimin dhe riorganizimin e partisë. PD-ja ka nevojë për kontributin e gjithëkujt që kërkon ardhjen e saj në pushtet, një PD që në ditët e para të themelimit të saj ka qenë në shërbim të shqiptarëve dhe të ardhmes europiane. Kontributi i secilit, që nga anëtari më i thjeshtë deri tek strukturat më të larta, do t’i shërbejë ringritjes së PD-së. Mendimi ndryshe është respektuar gjithmonë në parti, e tillë është PD-ja.
Në media jeni përfolur si nënkryetarja e PD-së në Kuvend. Edhe pse pritet shtatori për të mësuar ndryshimet, nëse ju ofrohet ky post jeni e gatshme për ta pranuar?
Në PD ka kontribute njerëzore të jashtëzakonshme, të cilët i respektoj dhe për të cilët do të votoja pa mëdyshje për të marrë poste. Sa për vete nuk kam asnjë koment. Vendimet i përkasin kryetarit dhe unë respktoj autoritetin e tij në drejtimin e PD-së.
Në Dibër PD arriti të marrë 2 mandate deputetësh. Ju si kryesuese e listës jeni e kënaqur me rezultatin?
Që në krye të kësaj interviste ju përmenda që zgjedhjet e 25 qershorit nuk ishin as të lira, as të ndershme dhe as të barabarta. Aleatët qeverisës përdorën të gjitha format e paligjshme për të fituar por jam e bindur që kjo rrugë nuk të çon askund. Këto janë forma dallaveresh që padyshim do u vijë fundi i dhimbshëm. Unë këtë e pashë vetë në fushatën që zhvillova në Qarkun e Dibrës, specifikisht në zonën e Matit. Jam e bindur se në këto zgjedhje, veçanërisht në qarkun Dibër, vota u deformua bindshëm. Në 30 ditë fushatë elektorale jam përpjekur të bëja një fushatë korrekte, të ndershme dhe me rregulla.
Çfarë roli do të luani për Dibrën si deputete. Cili është programi juaj?
Unë kam folur çdo ditë me dibranët, matjanët përgjatë fushatës. Gjithçka që kam bashkëbiseduar me ta do të jetë në fokus të punës time si deputete e kësaj zone. Gjatë katër viteve të ardhshme do të kryej detyrën time duke ngritur zërin në të gjitha diskutimet qytetare, mediatike, në komisionin parlamentar ku do të marrë pjesë, në seancat parlamentare të përjavëshme për mbrojtjen e çështjeve që shqetësojnë sot dibranët. Dibra është qarku më i varfër në vend. Dhe kjo për shkak se në 4 vitet e fundit nuk ka pasur investime në infrastrukturë që ndikon drejtpërdrejtë në ekonominë qytetare. Nuk ka pasur politika zhvillimi, zero vëmëndje për mijëra qytetarë që kanë kërkuar shërbimin shëndetësor, shërbimin nëpër zyrat e shtetit etj. Natyrisht që rruga e Arbërit mbetet sfida kryesore e imja ndaj kësaj qeverie. Më tej kërkesat e vazhdueshme ndaj qeverisë për investime në bujqësi, blegtori, turizëm.
Kryeministri Rama ka nisur furtunën e shkarkimeve në administratë. Si i komentoni paralajmërimet e kryeministrit dhe argumentin se në administratë do të punësohen vetëm njerëz të kualifikuar?
E kam thënë dhe në parlament, korrupsioni më i madh i kësaj qeverisjeje është demagogjia. Për fat të keq duket se këtë formë korupsioni ka nisur ta aplikojë dhe në vazhdim, pa e nisur punën dhe qeveria dy e Ramës. Drejtorët që mbyllën sytë dhe veshët ndaj korrupsionit qeverisës sot detyrohen të largohen vetem për arsye demagogjie, pasi kanë qenë ata drejtorë që kanë qenë mburoja e megafa-aferave korruptive të ministrave të këtij kabineti qeveritar.