Konstitucionalisti i njohur flet për pikën e fortë të paktit Rama-Basha. Ja çfarë pritet të ndodhë në shtator

0
250

Konstitucionalisti Çlirim Gjata ka komentuar situatën kaotike ku ndodhet gjyqësori pas vakancave të krijuara në disa institucione gjyqësore. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” , Gjata thotë se institucionet e drejtësisë janë të bllokuara totalisht dhe kjo vjen si pasojë e mungesës së anëtarëve dhe pamundësisë për të bërë emërime të reja, pa shqyrtimin dhe miratimin e ligjit të Vetting-ut nga Gjykata Kushtetuese. Konstitucionalisti Gjata sqaron se që të bëhen emërime të reja në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese, duhet që fillimisht organet e tjera të drejtësisë të bëjnë verifikimin e kandidaturave, pra kalimin në Vetting dhe më pas çuarjen e emrave për miratim presidentit.

Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë kanë mungesa anëtarësh prej disa javësh, gjë që është evidentuar edhe nga vetë drejtuesit e këtyre dy gjykatave. Si mendoni, sa të rënda mund të jenë pasojat që mund të krijojë kjo vakancë në institucionet e gjyqësorit?

E vetmja zgjidhje kushtetuese dhe ligjore është që të emërohen gjyqtarët sipas sistemit të ri të drejtësisë, që është vendosur në ndryshimet kushtetuese të 2016-ës. Zgjidhje tjetër nuk ka. Po të ishte para ndryshimeve do i dekretonte Presidenti Ilir Meta anëtarët e rinj, do i miratonte Parlamenti dhe do të ishte formuar një grup gjyqtarësh sa për të krijuar kuorumin. Mirëpo, kjo procedurë nuk ekziston më. Me procedurën e re të emërimeve praktikisht sistemi i drejtësisë ka hyrë në një rreth vicioz. Që të bëhet procedura e re për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë së pari duhet të mblidhet Këshilli i Lartë Gjyqësor (institucion i ri) që t’ia propozojë Presidentit emrat.

Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të emërohet 5 nga Parlamenti, 6 nga Konferenca Gjyqësore por që nuk mblidhet dot pa u bërë Vetting-u. Kjo sepse e para gjë që duhet të bëhet është që të përfundojë Vetting-u që gjyqtarët të kenë të drejtë të emërojnë gjyqtarë të pastër, që e kanë kaluar pozitivisht Vetting-un në KLGJ dhe pastaj KLGJ duhet t’i propozojë Presidentit anëtarë të pastër që kanë kaluar edhe ata Vetting-un. Pra, anëtarët e KLGJ së pari duhet të kenë kaluar Vetting-un dhe më pas këta gjyqtar të mund të propozojnë anëtarë për institucionet e tjera gjyqësore, siç është edhe Gjykata e Lartë.

Po sa i përket vakancave në Gjykatën Kushtetuese, si mund të procedohet?

Për Gjykatën Kushtetuese është pak më ndryshe procedura por sërish duhet të kalojë Vetting-u, nuk mund të emërohet një gjyqtar në asnjë pozicion pa kaluar në sitën e Vetting-ut. Ligji i Vetting-ut nga ana tjetër ka ngelur në Gjykatën Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese nuk ka kuorum nuk e shqyrton dot atë. Por si do të zbatohet Vetting-u pa u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese! Pra, është krijuar një rreth vicioz dhe reforma ngelet e bllokuar. Nëse Gjykata Kushtetuese ka 6 anëtarë e ka kuorumin, duhet të jenë 5 dhe me 5 vota mund te merret vendimi pro kjo është çështje tjetër.

Ju po thoni se situata është totalisht e bllokuar por a ekzistojnë rrugëdalje dhe kush mund ti gjejë këto?

Të gjitha këto janë pasojë e mënyrës së sjelljes, mënyrës më negative, më të keqe të sjelljes së politikës me drejtësinë që për të dalë vetë e larë, kaloi çdo të keqe në fushën e drejtësisë dhe këtu ka rol edhe faktori ndërkombëtar në Tiranë që ka gabuar. Kaloi çdo të keqe, çdo negativitet ia kaloi drejtësisë në derë për të dalë vetë e larë dhe tani drejtësia ka hyrë në rreth vicioz, nuk shqyrton dot ligjin e Vetting-ut se nuk ka kuorum, nuk emërohen dot gjyqtarët sepse nuk kanë kaluar procesin e Vetting-ut dhe se si do të dilet kjo, nuk mund të thuhet. Nëse nuk ka kuorum është pa rrugëdalje.

Këtu përfunduan “gjenitë” e mëdhenj që bën Kushtetutën në 2016, qoftë nga politika, qoftë ekspertët, sidomos faktori ndërkombëtar i përfaqësuar jo vetëm nga ambasadorët por edhe nga teknicienët e EURALIUS dhe OPDAT. Kjo është situata ku na kanë çuar. Konstitucionalizmi është shkenca më e vështirë e drejtësisë, është themeli i ndërtimit të shtetit. Nuk bëhet në formë politike, “hajde se mall për Shqipërinë është ky, i bën mirë Shqipërisë” dhe ja përfundimi. Askush nga këta gjeni, nga këta ekspertë që bënë Kushtetutën e 2016-ës nuk del e të thonë tani, pse arritëm këtu dhe si do ta zgjidhim. Të gjithë janë plazheve e nuk e di kush se çfarë kanë bërë.

Pavarësisht kësaj situate ku institucionet janë të bllokuara a besoni se do të ketë një rezultat reforma në drejtësi, që është konsideruar arritja më e madhe e qeverisë së kaluar?

Ekziston një marrëveshje që do të pritet shtatori që të kuptohet se çfarë do të bëhet midis zotit Rama dhe zotit Basha që kanë thënë do të ketë reformë kushtetuese. Kjo mendoj unë është pika më e mirë e marrëveshjes. Me shpresë Perëndia do ia ndriçojë mendjen dhe bëjnë një Kushtetutë nga e para dhe një Kushtetutë Perëndimore, jo Kushtetutë interesash dhe e katandisin vendin këtu ku është katandis.

Si e interpretoni atë pikë të marrëveshjes Rama-Basha se do të ketë ndryshime pasi në dokumentin publik nuk është e qartë se për çfarë bëhet fjalë?

Në atë dokument ka një pikë që thotë do të ketë ndryshime kushtetuese. Unë shpresoj që të bëhet fjalë për një Kushtetutë e re që të bëhet nga e para. Kjo është zgjidhja që shoh. Pastaj çështjet e tjera Vetting-u etj, janë dytësore. Nuk mundet vetëm njëri krah i pushtetit, pra politika të lë gjithçka në derën e drejtësisë dhe vetë të dalë e larë. Kjo politikë është shkaktare që drejtësia ka ardhur deri këtu.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here