Edhe pse numri i të huajve që po vizitojnë Shqipërinë për qëllime turizmi është rritur fort vitin e fundit, hotelet dhe restorantet shqiptare kanë mbajtur çmime të njëjta si një vit më parë.
Sipas të dhënave të INSTAT, ndryshimi vjetor i çmimeve të hoteleve mbeti zero në muajt qershor dhe korrik, kur vendi u përball edhe me një numër më të lartë vizitorësh.
Sipas INSTAT çmimet e kanë mbetur të njëjta si një vit më parë edhe për kafenetë, resorantet dhe shërbimet e kateringut.
Rritja e fundit e çmimeve për këto shërbime sipas të dhënave të INSTAT është ezauruar në fillim të vitit që shkoi, si reflektim i kostos që solli ndryshimi i disa tarifave vendore në bashkitë kryesore të vendit.
Por operatorët hotelierë në zonat më fluksin më të lartë turistik pohojnë se në vend që të rrisin çmimet kanë zgjedhur që të zgjerojnë kapacitetet akomoduese.
Mbi 10 hotele më të mëdha në Durrës i pohuan Monitor pak ditë parë se kanë rritur kapacitetet e akomodimit nga 50-100 % në përgjigje të kërkesës në rritje nga operatorët çekë dhe polakë.
Teksa të gjitha hotelet po zgjerohen me shpejtësi, turistët po japin sinjale negative se kërkesa për të pushuar në Shqipëri nuk do të jetë e qëndrueshme.
Të huajt që kanë vizituar Shqipërinë në gjashtëmujorin e parë të 2017, për qëllime pushimi, janë dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i shtetasve të huaj që zgjodhën Shqipërinë për të pushuar këtë vit ishte 561 mijë, nga 229 mijë vitin e kaluar me një rritje 144% krahasuar me janar-qershor 2016, raportoi INSTAT.