Mjeku në Emergjencë Basri Lenjani, ka folur për gjendjen shëndetësore të Sokol Zogajt, drejtorit të burgjeve të Kosovës të sulmuar dje në mëngjes nga persona të panjohur, raporton KTV.
“Sokol Zogaj ka marrë një lëndim në kokë mirëpo gjendja nuk është serioze. 48 orët e ardhshme ai do të trajtohet në klinikën neurokirurgjike. Plagët janë shkaktuar me një mjet të topitur”.
Sokol Zogaj e ka marrë veten nga sulmi i mëngjesit dje, shkruan Insajderi. Ai tregoi se si u rrah brutalisht me shufra nga dy burra në hyrje të banesës së tij. Gjithë aksioni i këtyre dy sulmuesve thotë se ka zgjatur rreth dy minuta. Ata e kishin goditur kryesisht në kokë duke i shkaktuar plagë serioze.
Ai dyshon në disa pista se kush mund të qëndrojë prapa sulmit, por nuk përmend emra konkret. Drejtori i burgjeve thotë se ka ofruar dëshmitë dhe dyshimet tek hetuesit policorë, prej të cilëve pret të zbardhet rasti.
Në një intervistë për Insajderin ai thotë se ky sulm lidhet me punën e tij si drejtor i burgjeve.
“Duke shkuar në punë, t’u dalë prej banesës, dy persona të panjohur më kanë sulmuar në katin e parë. Meqë aty është errësirë, nuk kamë mundur t’i identifikoj. Ata më kanë gjakosë, dhe kam qenë në gjendje shumë të rëndë”.
Ai thotë se ka qenë në gjendje të rëndë, por në spital është dërguar nga një person që ka rastisur afër vendit të ngjarjes.
“Fatmirësisht kam mundur të dal jashtë banesës dhe një tregtar që punonte aty më ka dërguar në QKUK”, tregon Zogaj.
Zogaj prej se ka ardhur në krye të shërbimit thotë se ka ndërmarrë veprime ligjore për të parandaluar parregullsitë, përfshirë ndalimin e kontrabandës dhe largimin nga puna të të korruptuarve.
“Pasi kam ardhur në krye të detyrës si drejtor, jam munduar ta ngre nivelin e sigurisë dhe ato lëshime që janë bërë më herët, nuk i kam toleruar. Nga kjo rrjedh “që kjo dikujt nuk i ka konvenuar”, thotë ai.
Zogaj pranon se gjendja brenda burgjeve të Kosovës nuk është e mirë, meqë aty sipas tij edhe stafi është i përfshirë në afera korruptive dhe kontrabandë të gjërave të ndaluara brenda burgjeve.
Por, thotë se së bashku me kolegët është duke bërë përpjekje për t’i luftuar këto dukuri.
“Edhe kur kam qenë në pozitën e dytë jam përpjekur të ndërmarr të gjitha masat e sigurisë dhe të jenë të barabartë para ligjit edhe kam luftuar me metodat e mia së bashku me kolegët, kam shfaqur luftë të hapur edhe kundër korrupsionit ndaj një numri të madh të stafit i njerëzve që janë marrë me kontrabandë me sende të këqija që janë marrë brenda burgjeve. Dhe kemi arritur t’i prangosim dhe disa prej tyre janë nëpër burgje dhe nuk janë kthyer kurrë më në punë”, tha ai.
Qeveria e Kosovës ka dënuar sulmin fizik ndaj Zogajt, duke thënë se ky akt paraqet sulm ndaj institucioneve të Kosovës, ndërsa deri më tani nuk ka ndonjë njoftim nga Policia e Kosovës për arrestimin e personave që sulmuan atë. /Insajderi/