Pastruesja e arratisur, gruaja që kurdisi vjedhjen e kasafortës me flori dhe orat ‘Rolex’

0
203
Kasaforta e një hoteli, brenda së cilës ndodheshin ora e bizhuteri floriri me një vlere prej afro 100 mijë eurosh, u grabit mbrëmjen e së martës nga dy persona të akomoduar si klientë. Por, brenda 24 orësh nga momenti i ngjarjes, Policia e Tiranës arriti të arrestojë autorët dhe t’i kthejë hotelit sendet e vjedhura. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e datës 15 gusht, në një hotel që ndodhet te Rruga e Dibrës, përballë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në kryeqytet. Megjithatë, u deshën të kalonin disa orë që personeli i hotelit të zbulonte ngjarjen e më pas ta denonconte në Polici.

Kjo për shkak se dy autorët kishin marrë kasafortën duke e futur në një çantë dhe pasi e kishin zbrazur, duke marrë paratë, orët e bizhuteritë që kishte brenda, e kishin kthyer sërish në vendin ku ishte, për të mos rënë në sy, njofton panorama.

Arratiset pastruesja që informoi për kasafortën

Nga të dhënat hetimore të Policisë rezulton se ideatore e vjedhjes në hotelin te Rruga e Dibrës është motra e njërit prej autorëve, Rajmonda Bruçi. Ajo ishte e punësuar aty prej disa muajsh si pastruese dhe ishte në dijeni të objekteve me vlerë e parave që ndodheshin në kasafortë.

Vëllai i saj, Eduart Ngota, i cili jeton prej vitesh në Itali, ishte kthyer në Shqipëri më datë 14 gusht për të kaluar disa ditë pushime pranë familjes. Burimet thanë se nuk dihet ende nëse ideja për realizmin e vjedhjes është diskutuar pasi ka mbërritur në Shqipëri, apo që përpara se të kthehej. Megjithatë, sipas hetimeve, duket se të gjitha lëvizjet e kryera nga dy autorët e arrestuar kanë qenë të planifikuara më parë me detaje, bashkë me Rajmonda Bruçin. Ajo dyshohet se i ka informuar për vendin ku ndodhej kasaforta, duke u treguar se çfarë kishte brenda saj, por edhe mënyrën se si mund ta nxirrnin nga hoteli pa rënë në sy. Ndërsa vetë ka vendosur të mos përfshihej drejtpërdrejt në vjedhje. Sipas burimeve nga Policia, ditën kur dy autorët janë akomoduar në hotel, 36-­vjeçarja Bruçi kishte vendosur ta bënte pushim. Por, nga ana tjetër, të njëjtën ditë ajo e ka shfrytëzuar për t’u larguar nga Shqipëria.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here