Qeveria e re që pritet të formohet së shpejti nuk do të sjellë vetëm një rikonceptim të ministrive që do të formojnë kabinetin Rama 2, por edhe të disa prej drejtorive më të rëndësishme. Televizioni Klan ka mësuar se Drejtoria e Tatimeve do të bashkohet me atë të Doganave, ndërsa ka qenë vetë kryeministri Edi Rama i interesuar për të mbyllur sa më shpejt procesin e shkrirjes së tyre, premtim që socialistët e kishin që në mandatin e parë qeverisës, por që nuk ia dolën dot. Burimet sqarojnë se është duke u punuar për projektin e bashkimit të tyre, i cili nuk është një proces i thjeshtë dhe që do të kërkojë kohë.Bashkimi i dy agjencive më të rëndësishme të administratës fiskale synon uljen e korrupsionit, rritjen e kontrollit me një staf më të specializuar dhe shkurtimin e procedurave për biznesin. Njëkohësisht me këtë projekt, grupi i punës është duke studiuar variantin për të nxjerrë më vetë funksionimin e Ministrisë së Thesarit, e cila do të merret me pjesën e shpenzimeve, pagesat, buxhetin dhe menaxhimin e borxhit publik, ndërsa agjencia e re mund të funksionojë më vete si e pavarur nga ky institucion. Strukturimi i drejtorive më të rëndësishme në një të vetme pritet të prekë edhe atë të Departamentit të Tenderave dhe Prokurimeve Publike që ka çdo institucion që mund tv kalojnë në një njësi të posaçme. Një tjetër reformim që pritet të ndodhë është edhe ai i bashkimit në varësinë e një ministrie të agjencisë së pronave, zyrave të hipotekës dhe Aluiznit.