Sot do të mbahet seanca e radhës për konstituimin e Parlamentit të Kosovës. Ndonëse nuk është konfirmuar, por pritet që partia AKR e Behxhet Pacollit të mund të zhbllokojë ngërçin politik.
Gjysma e dytë e kësaj jave pritet të shënojë edhe përpjekjen e radhës për zhbllokimin e ngërçit politik dhe fillimin e krijimit të institucioneve bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit. Këtë të enjte, më datën (24.08), mbahet seanca e radhës për konstituimin e parlamentit të Kosovës, datë kjo e caktuar me një konsensus nga të gjitha partitë parlamentare, pas me shumë se tre javë mospajtimesh që nga data tre gusht, kur u ndërpre seanca konstituuese.
Shkaqet e ngërçit
Ngërçi politik u krijua kur asnjëra nga kampet politike, në radhë të parë koalicioni PAN, i cili nuk i kishte votat e mjaftueshme për ta zgjedhur kryetarin e kuvendit, por as koalicioni LAA dhe lëvizja Vetëvendosja, nuk kishte siguruar më shumë se 60 vota në Parlament. Kjo u vërtetua pasi kryesuesi i seancës, hodhi në votim një propozim për një shtyrje seance, kur votat u ndanë 60 me 60, nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës. Mirëpo duket se kësaj radhe – ndonëse akoma nuk ka konfirmim zyrtar – gjërat kanë lëvizur në drejtim të zhbollokimit të situatës politike. Aleanca Kosova e Re, e udhëhequr nga Behxhet Pacolli, pjesë e koalicionit LAA, duket se do të lëvizë gjërat në drejtim të krijimit të institucioneve. Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie ka autorizuar të dielën kryetarin e saj Pacolli, që “bashkë me deputetët e zgjedhur dhe kryesinë e ngushtë, të shohë mundësi të gjetjes së daljes nga kriza dhe të shohë mundësi të tjera alternative jashtë koalicionit me LDK-në dhe Alternativën”.
AKR do të lëvizë gjërat?
“Subjektet politike parlamentare, përfshirë edhe partnerët me të cilët është në koalicion AKR-ja, vazhdojnë të ngecin në gjetjen e një zgjidhjeje për zhbllokimin e situatës, atëherë mundësitë e zgjidhjes duhet të kërkohen edhe jashtë koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Alternativën. Këtu nuk përjashtohet koalicioni PAN, ku bëjnë pjesë Partia Demokratike të Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën. Të gjitha rrugët janë të hapura. Ne do të themelojmë institucionet, ose siç duket, do të shkojmë në zgjedhje të reja, zgjedhje këto që nuk janë të mirëpritura për faktorin ndërkombëtar”, ka thënë Fatmir Matoshi, kryetar i Komisionit Zgjedhor në Aleancën Kosova e Re. Vet kryetari i AKR-së, Bexhet Pacolli, disa herë është shprehur për një qeveri gjithpërfshirëse, si zgjidhje për dalje nga kriza politike, e cila sipas tij po i shkakton shumë humbje vendit si në aspektin ekonomik dhe atë të integrimeve edhe reformave. Por Pacolli deri tani nuk e ka thënë qartë se do të jetë pjesë e PAN-it.
LDK vazhdon të besojë në koalicionin me AKR
Zyrtarë të LDK-së ende vazhdojnë të besojnë se Behxhet Pacolli do t’i qëndrojë besnik marrëveshjes parazgjedhore të koalicionit me LAA, ndonëse pas vendimit të së dielës së Këshillit Drejtues të AKR, ata thonë se tashmë duket se ka një situatë të re. Driton Selmanaj, deputet i LDK në Kuvendin e Kosovës, thotë se “mbetet të shihet nëse do të materializohet ai vendim në ditët në vijim. Por përderisa nuk ka asgjë konkrete, ne akoma vazhdojmë t’i besojmë një marrëveshjeje që e kemi me AKR”.
Që AKR është në bisedime për një koalicion të mundshëm me PAN-in, e konfirmon edhe njëri nga udhëheqësit politik në këtë koalicion, Fatmir Limaj.
Limaj konfirmon bisedimet
“Ne llogarisim me një subjekt politik. Besojmë se Kosova do t’i ketë institucionet deri javën tjetër. Po bisedojmë me AKR-në dhe grupe të tjera politike. Është humbur kohë pa nevojë. Kosova ka qenë dashur t’i ketë deri me tani institucionet. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese na ka imponuar këtë situatë, sepse koalicionit fitues i takon propozimi për kryetar të Kuvendit”, është shprehur Fatmir Limaj.
Edhe analistët besojnë se Pacolli do t’i bashkohet koalicionit PAN. “Behxhet Pacolli duket të ketë vendosur që t’ia sigurojë votat e nevojshme PAN-it, respektivisht të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme. Periudha 10 ditëshe, e dhënë si ultimatum për koalicionin LAA që të lëvizë përpara, ka qenë më tepër blerje kohe që ai të arsyetohet brenda strukturave partiake, para elektoratit dhe para opinionit”, thotë analisti Imer Mushkolja.
Veseli kandidat për kryetar
Sidoqoftë, këtë të enjte datë (24.08) koalicioni PAN, si fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit do ta propozojë kandidatin për kryetar kuvendi, e ai është Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Nëse Veseli i merr votat e nevojshme, shumicën e prej 61 votash, atëherë hapet rruga për kijimin e qeverisë së Kosovës në afatin ligjor prej 15 ditësh. I nominuari i koalicionit PAN, është kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Nëse të enjten zgjidhet kryetari dhe kryesia e kuvendit, me mbështetjen e deputetëve të partisë së Behxhet Pacollit, atëherë edhe Ramush Haradinaj, nuk duket se do ta ketë vështirë ta themelojë qeverinë e Kosovës. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se kjo nuk do të jetë e qëndrueshme, për shkak se brenda saj qeveria do ta ketë listën “Srpska”, zyrtarët e së cilës disa herë janë deklaruar se “çdo vendim brenda institucioneve të Kosovës do ta marrin në konsultim të plotë me Beogradin zyrtar”. Analistët dyshojnë se koalicioni serb mund të bllokojë shumë vendime të rëndësishme për Kosovën./DW