Rinas/ Trafik kallashnikovësh, si u zbuluan pakot. Nis hetimi nga 3 shtete

0
178

Tri pako postale me pjesë të ndryshme armësh, të tipit Kallashnikov, janë zbuluar nga Policia në aeroportin “Nënë Tereza”. Pjesët përbërëse të armëve luftarake janë konstatuar pasditen e së enjtes, në kohën kur po kryhej skanimi i pakove postale të kompanisë “DHL”. Në momentin që janë zbuluar pakot e dyshimta, te skaneri kanë qenë të pranishëm shërbimet e Policisë Kufitare, të Doganës së Rinasit dhe të kompanisë ICTS të sigurisë së aeroportit. Kjo për shkak të masave shtesë të sigurisë që janë marrë së fundmi në aeroportin “Nënë Tereza”, për shkak të planit antiterror, nisur nga sulmet e kërcënimet në disa vende të Europës. Menjëherë pasi janë shfaqur pjesët e dyshimta, është bërë bllokimi i pakove dhe është kërkuar menjëherë prezenca e oficerëve të Antiterrorit.

 

 

Burimet thanë se ato janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa është regjistruar procedim penal pa autor me akuzën “trafikim ndërkombëtar i armëve”, i kryer në bashkëpunim, i mbetur në tentativë. Pjesët përbërëse të armëve luftarake janë dërguar për ekzaminim në Laboratorin e Kriminalistikës, në Tiranë, ku do të analizohen për gjurmë të mundshme gishtërinjsh, që mund të çojnë drejt identifikimit të autorëve.

DESTINACIONI
Destinacioni i tri pakove me pjesë Kallashnikovi që u gjetën të enjten në Rinas, duket se ka qenë Londra. Burime nga Policia e Shtetit thanë se pakot ishin nisur nga Tirana dhe më pas do të kalonin tranzit në Greqi, duke arritur në destinacionin përfundimtar që ishte Britania e Madhe. Personi që ka nisur pakot me “DHL” sipas Policisë është ende i paidentifikuar, pasi emri i tij rezulton i rremë. Po ashtu edhe emri i personit që do të priste porosinë në Londër. Menjëherë pas zbulimit të këtyre armëve, nga Policia Kufitare, oficerët e Doganës dhe ata të sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza”, ka nisur një hetim i përbashkët mes tri shteteve për identifikimin e autorëve. Burimet thanë se, përveç prokurorisë sonë, në hetim është përfshirë edhe prokuroria greke dhe ajo e Anglisë. Ndërsa po kryhen hetime intensive edhe nga Drejtoria e Antiterrorit, e Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Shërbimin Informativ Shtetëror.

HETIMI
“Në kuadër të masave të shtuara antiterror, si në mbarë shtetet europiane, edhe Policia e Shtetit dhe organet ligjzbatuese vijojnë zbatimin e një plani të detajuar masash. Kështu, më datë 24 gusht, rreth orës 15:40, në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas, nga punonjësit e kompanisë ICTS, gjatë skanimit të tri pakove të kompanisë postare ‘DHL’, tranzit, janë konstatuar pjesë armësh luftarake. Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e kësaj vepre penale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, tha dje zyrtarisht Policia e Shtetit.

Menjëherë pas zbulimit të pjesëve të armëve, për ngjarjen janë vënë në dijeni edhe autoritetet greke dhe ato britanike, ku do të kalonin tri pakot e dyshimta. Burimet thanë se për këtë arsye në hetim janë përfshirë prokuroritë e tri vendeve, ajo shqiptare, greke dhe angleze. Nga ana tjetër, veprimet e menjëhershme hetimore kanë nisur nga oficerët e Antiterrorit, të Krimit të Organizuar dhe SHISH. Fillimisht po verifikohet vendi nga ku janë nisur pakot postale, në mënyrë që të zbulohet origjina apo edhe personi që do t’i dërgonte ato drejt Londrës./panorama

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here