Edi Rama e njeh më mirë se të gjithë nocionin e Kurbanit. Diku nga viti 2011, pasi pa t’i rrëshqiste nga duart pushteti okult që kish ndërtuar në Bashkinë e Tiranës për gati 10 vjet, ai shkroi një libër ku derdhi në të gjithë trillin që e përbën qenien e tij humano-politike e cila nuk u nda kurrë nga njëra tjetra.
Njeriu Edi është në të njëjtën kohë edhe politikani Rama. Mosmirënjohja është mëkati i tij i preferuar. Dhe mosmirënjohjen e tij politike dhe humane ai e ka bazuar mbi një rit që nuk i takon besimit të tij fetar (mix ortodokso-katolik), por që ai e ka përvetësuar si asnjë mysliman tjetër. Me një ndryshim rrënjësor. Nëse myslimanët bëjnë kurban në emër të Hyjit, Edi Rama bën kurban në emër të Unit te tij.
Goxha guxim për një vdekatar të zakonshëm, por ja që Edi Rama është i tillë dhe gjykimi final është gjëja e fundit që e shqetëson në këtë botë. Në bindjen e tij absolute, gjykimi i fundmë është një gjë që mund të rregullohet me Vettingun e tij personal të Reformës në Drejtësisë.
Gabimi është në veprim e sipër, dënimi është i pashmangshëm nesër. Edi Rama publikoi sot qeverinë e re të avazit të vjetër, me vetëm një përjashtim. Në vend të ministrit të brendshëm të lidhur me bandat kriminale, vendosi si të tillë vëllanë e një prej kryetrafikantëve të drogës në Shqipëri. Ministër i Brendshëm Fatmir Xhafa, kapobandë e trafikut të drogës, vëllai i tij Agron Xhafaj. Dokumentet zyrtare të drejtësisë italiane mbi vëllanë e Fatmir Xhafës janë po aq të pafundme, sa janë të tilla dokumentet për vetë Xhafën si xhelat i komunizmit kur ai ishte prokuror në Krujë.
Pra Xhafajt, pasi të vrasin në komunizëm të drogojnë në demokraci, dhe pasi i bëjnë te dyja krimet dekorohen edhe si ministra në Rilindje. Ky “puzzle” perversiteti politik nuk mund te plotësohet si i tillë veçse nga një njeri dhe ai është Edi Rama.
Por për të vënë në jetë një trill të tillë duhet edhe një kurban. Emei i ujkut me lëkurë qingji, vetëm për këtë rast është Saimir Tahiri. Katër vite më parë atij iu varën në qafë të brendshmet e punëve te Shqipërisë. Saimir Tahiri është doraci i shthurjes së rendit ne Shqipëri, por jo autori i saj. Operacione si “Fundi i Marrëzisë” ndaj lojërave të fatit, ai kundër ndërtimeve pa leje, liberalizimi i kultivimit të hashashit në Shqipëri, e deri të livadhisja emrave më të shquar të krimit në liri e të mbrojtur nga policia, janë përgjegjësi e Saimir Tahirit e ngarkuar me djallëzi nga Edi Rama.
E vetmja herë kur Tahiri bëri diçka me kokën e tij (me sugjerimin e Blushit) dhe me kapjen gafil të Ramës, ishte ndërhyrja në Lazarat. Pjesa tjetër është historia e një dështimi që Tahiri e ndan 70 me 30 në favor të Ramës. Por sot ai nuk është i përjashtuari i madh i qeverisë “Rama 2”.
Si me të si pa të, rendi në Shqipëri për aq kohë sa Edi Rama nuk do ti shkëpusë kurrë lidhjet me krimin do të vazhdojë të jetë një luks që shqiptarët nuk do ta kenë kurrë. Por leksioni politik që vjen përmes Saimir Tahirit është një skemë të cilën socialistët duhet ta kenë të qartë.
Pse? Saimir Tahiri është i pari Ministër i Brendshëm i Shqipërisë që është takuar ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë me Presidentit të SHBA-ve, Barak Obama. Dhe kjo erdhi falë vendimit të tij personal për te ndërhyrë në Lazarat.
Dhe sot ai nuk është Ministër i Brendshëm si pasojë e vendimit personal të Edi Ramës për të liberalizuar kultivimin e kanabisit në të gjithë vendit. Saimir Tahiri u keqpërdor edhe në konfliktin e ashpër që Edi Rama pati gjatë bashkëqeverisjes me Ilir Metën.
Burime për “Syri.net” bëjnë me dije se gjatë një komunikimi të para disa muajsh mes Metës dhe Ramës, ky i fundit i është shprehur Presidentit aktual se “e hoqa Tahirin se ka bërë ca gabime me ju dhe me Monën”.