Ekipi i një televizionit e ka xhiruar momentin dramatik kur ia shpëtuan jetën një shoferi i cili kishte ngecur në kamion e vet që ishte vërshuar nga uji si pasojë e uraganit “Harvey”.
Gazetarja nga kanali televiziv i lajmeve i Houstonit (KHOU), e cila po raportonte mbi shkatërrimin që e ka shkaktuar uragani, e ndali policinë pasi e vërejti shoferin të ngecur në kabinën e kamionit, transmeton Express.
Të paktën dy persona kanë vdekur pasi stuhia e goditi qytetin e Teksasit me reshje të papara të shiut, duke i detyruar mijëra persona të ngjiten në kulme për t’i ikur rritjes së nivelit të ujit në pritje të ndihmës për të shpëtuar.
Gazetarja Brandi Smith dhe kameramani Mario Sandoval e vërejtën kamionin të vërshuar nga tri metra ujë teksa po xhironin përfundi një ure.
“Sapo iu afrova e pashë se kamioni i kishte dritat e ndezura. E kur u afrova edhe më afër pashë diçka lëvizte dhe në atë moment e kuptova se dikush ishte brenda kamionit dhe se duhej të gjenim një mënyrë për ta nxjerr atë jashtë sepse uji nuk ishte i sigurt,” ka thënë Smith. /Express/