Goditje e bujshme në merkato, Kamza merr ish-sulmuesin e Shkëndijës

0
152

Pas përfundimit të fazës përgatitore në Ohër, Kamza u është rikthyer përgatitjeve në shtëpi. Kamzalinjëve u është dashur që menjëherë të përballen me kushte të vështira stërvitore. Ekipit i është dashur dje që të përgatitet në orën 14:00, në pikun e vapës, në Qendrën Kombëtare Stërvitore të FSHF-së në Kamzë.

Lojtarët kanë pasur probleme me frymëmarrjen, pasi, përveç temperaturës së lartë të ajrit, u është dashur të përballojnë edhe nxehtësinë dhe erën që çliron tapeti i fushës me bar sintetik. Në këto kushte, konsumi i ujit ka qenë i madh nga lojtarët. Ora 14:00 ishte orari i vetëm i lirë, kur Kamza mund të përgatitej dje në kompleksin e federatës, ndërsa sot skuadra do të stërvitet paradite, rreth orës 09:00

Demir Imeri – Gjatë seancës së djeshme skuadra ka qenë e plotë, madje nuk kanë munguar edhe prurjet e reja. Me Kamzën dje është përgatitur edhe futbollisti shqiptar nga Maqedonia, Demir Imeri. 21-vjeçari i lindur në Kërçovë, në sezonin e fundit ka luajtur me Shkëndijën e Tetovës dhe pritet që të jetë një përforcim i rëndësishëm për krahun e djathtë të ofensivës së Kamzës. Imeri ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave të Maqedonisë dhe në sezonin e fundit ka veshur fanellën e Shkëndijës së Tetovës, me të cilën është përfaqësuar në Ligën e Europës. Imeri ka udhëtuar së bashku me ekipin e Kamzës nga Maqedonia dhe si fillim ai konsiderohet në provë te kamzalinjtë, me shpresën për të nisur një aventurë të re në futbollin shqiptar.

21-vjeçari ka nisur përgatitjet me ekipin dhe pritet që trajneri Ramadan Ndreu dhe drejtuesit e klubit shumë shpejt të thonë fjalën e tyre për lojtarin. Dëshirat e trajnerit Ndreu në mbyllje të merkatos kanë të bëjnë me afrimin te Kamza të një qendërmbrojtësi, dy mesfushorëve krahu dhe të paktën një sulmuesi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here