Trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki u shpreh i kënaqur nga loja që skuadra e tij zhvilloi ndaj Kroacisë, pavarësisht humbjes 1-0. Në një prononcim për mikrofonin e “Supersport” pas ndeshjes, tekniku deklaroi se skuadra është duke u rritur nga ndeshja në ndeshje dhe ia vuri fajin kohës së shkurtër që ekipi ka në dispozicion për t’u stërvitur së bashku.
Bunjaki gjithashtu tregoi se i premtoi kolegut kroat Cacic që Kosova do të japë maksimumin edhe në sfidat ndaj Ukrainës dhe Islandës.
Gabimet në mbrojtje
“E kemi diskutuar, nuk kemi pasur shume mundësi të punojmë për t’u përmirësuar në mbrojtje për shkak të kohës. Nga shtatori i vitit të kaluar janë zhvilluar gjithësej 19 stërvitje. Mendoj që në përgjithësi nuk jemi keq, pasi kemi pranuar 2 gola nga goditjet standarde dhe kemi shënuar një.
Duhet të jemi më të përqendruar. Me afrimin e lojtarëve të rinj, skuadra ka ndryshuar. Pësimi i golit nga goditjet standarde është një problem që e diskutojmë gjithmonë edhe më lojtarët, por të jem i sinqertë kemi pak kohë në dispozicion për t’u stërvitur.”
Përmirësimi i lojës
“Kosova ka ngritje, ketë e tha dhe kolegu i Kroacisë, Cacic. I premtova atij që do japim maksimumin edhe ndaj Ukrainës dhe Islandës. Ndeshjen tjetër e kemi mbas 48 orëve dhe me të vërtetë është e rëndë. Lojtarët kanë tashmë 6 eksperiencë dhe dua të them që po rritemi mjaft.”