Një konflikt i nisur për shkak të humbjes së një telefoni celular, është bërë shkak për plagosjen me armë të një 21-vjeçari nga një ish-komando i Forcave të Armatosura.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Beltojë të Malësisë së Madhe, rreth orës 03:35 të së dielës, ku i plagosur me një plumb pistolete në kokë ka mbetur Edmir Nilaj, banor i fshatit Vukël në Malësinë e Madhe. 21-vjeçari kishte shkuar bashkë me disa shokë të tij në lokal me muzikë live dhe balerina.
Por, brenda ambientit të lokalit, mes tij dhe disa personave të ulur në një tavolinë ngjitur, ka nisur një debat për shkak se Edmir Nilaj nuk po gjente telefonin e tij. Palët kanë ngritur zërin dhe në ato momente, për të qetësuar situatën, është afruar shtetasi Admir Dekovi, i cili punon në lokalin me muzikë live si truprojë.
Palët kanë vijuar debatin dhe më pas, nga lokali kanë dalë jashtë për të mos prishur mjedisin për klientët e tjerë. Jashtë lokalit, në një moment, debati është acaruar derisa Edmir Nilaj dhe Admir Dekovi janë konfrontuar fizikisht. Gjatë sherrit, 40-vjeçari, që punonte si truprojë, ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar me një plumb në kokë 21- vjeçarin, Nilaj.
Përveç kësaj, dyshohet se i riu edhe është goditur me sende të forta në kokë. Pas të shtënave, menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, duke nisur hetimet e para për plagosjen e rëndë.
Në vetëm pak minuta janë arritur që të identifikohen të gjithë personat e përfshirë në këtë konflikt, përmes kamerave të sigurisë të instaluara në lokalin e natës.
Pas sekuestrimit të pamjeve, policia ka bërë të mundur arrestimin e katër personave të përfshirë në konflikt me akuzën e moskallëzimit të krimit. Të arrestuarit janë Alberto N. 32 vjeç, Bert Sh. 34 vjeç, Leandro N. 35 vjeç dhe Eduard F. 33 vjeç, të katërt banues në Hot i Ri. Ndërsa autori i plagosjes, i cili ka qenë pjesë e ushtrisë si komando, Admir Dekovi është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe është ende në kërkim.
I plagosuri, u dërgua me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës për të marrë ndihmën e parë. Për shkak të plagëve të rënda dhe gjendjes kritike për jetën, 21- vjeçari u transportua drejt spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar.
Mjekët kanë deklaruar se gjendja e Edmir Nilaj është shumë e rëndë, për shkak se një pjesë të kafkës e ka të hapur nga goditjet e forta.