“Lekët ose do t’i heq qafe cunat në Gjermani”/ Ja si të rinjtë terrorizonin biznesmenët

0
162

“Robt e shpisë, nuk keni për të jetu. Do t’ju shkly trupin në katërqind copa”. “A do i japësh ato lek ti apo t’i heq qafe çunat që ke në Gjermani se i kam në dorë?”. “Po nuk i solle, do të pres në fyt, mos më detyro të boj zhurm”.

Këto dhe dhjetëra mesazhe të tjera kërcënuese kanë mbërritur në numrat e dy biznesmenëve në Tiranë dhe një të treti në Fushë-Krujë, nga persona të panjohur.

Në këto mesazhe dërguesit kërkonin 30 milionë lekë të vjetër nga njëri prej tyre dhe nga 50 milionë prej dy të tjerëve. Gjykata për Krimet e Rënda ka deklaruar fajtorë si autorë të dërgimit të tyre dy të pandehurit Sadik Dinga dhe Ervis Alla, duke i dënuar ata përkatësisht me 3 vjet dhe 3 vjet e 8 muaj burg për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”.

Sipas Gjykatës, mesazhet kërcënuese u janë dërguar biznesmenëve gjatë muajit prill të vitit 2016. Sipas saj, të pandehurit i kanë kërkuar të dëmtuarit Sajmir T. dorëzimin e një shumë prej 3 milionë lekë të rinj, me pretendimin se vëllai i tij ua kishte borxh.

Të dëmtuarit Besnik K. ata i kanë kërkuar një shumë prej 5 milionë lekë të rinj, duke pohuar se më këto ai “do të mbyllte një plagë të vjetër”. Të njëjtën shumë ata kanë pretenduar edhe nga i dëmtuari Ilmi I., duke pretenduar se ky ishte “zhdëmtimi” për një kurorë që ai kishte prishur.

Për shkak se për të tre biznesmenët këto situata kanë qenë të paqena, fillimisht, ata nuk i kanë marrë në konsideratë kërcënimet. Por më tej, për shkak të këmbënguljes dhe shpeshtësisë së kërcënimeve, janë ndjerë të rrezikuar dhe kanë depozituar kallëzime në polici.

Të pandehurit nuk kanë marrë asnjë nga “gjobat”, ndërsa u arrestuan në 12 maj 2016, në një lokal pranë “Zogut të Zi”, ku kishin lënë vendtakimin për “vjeljen” e gjobës.

Skema e gjobëvënieve, si ishin ndarë rolet

Gjykata për Krimet e Rënda arsyeton në vendim se pavarësisht se të pandehurit nuk arritën të realizonin qëllimin e tyre, përftimin padrejtësisht të shumave të parave të kërkuara, ata konsumuan plotësisht elementet e veprës penale.

Sipas Gjykatës, të pandehurit vepruan në bashkëpunim.

“Në kryerjen tre herë të veprës penale u përfshinë të dy të pandehurit; fakti penal u realizua në të gjithë elementët e tij, në formën e shtrëngimit me anë të kanosjes, me qëllim përfitimin padrejtësisht të shumave të parave, duke u krijuar bindjen të dëmtuarve se vepra, për të cilën ata kanoseshin, do të kryhej”, argumentonte Gjykata.

Në lidhje me rolet e tyre në kryerjen e veprës penale, Gjykata shprehej:

“Secili prej të pandehurve luajti rolin e tij, duke qenë i pandehuri Alla organizatori, sepse përzgjodhi të dëmtuarit dhe udhëzoi të pandehurin tjetër për shkrimin e mesazheve kërcënuese”.

I pandehuri Dinga, sipas gjykatës, kishte rolin e ekzekutorit, pasi në zbatim të udhëzimeve të të pandehurit Alla, dërgoi mesazhet kërcënuese në adresë të të dëmtuarve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here